Edhe pse këtë sezon asnjëra nga skuadrat nuk është në garë për trofeun e kampionatit, përballja mes FC Shkupit dhe Vardarit mbetet derbi më i zjarrtë dhe me rivalitetin më të madh në futbollin vendor, njofton Telegrafi.
Bëhet fjalë për ndeshjen më të rëndësishme mes dy skuadrave më të mëdha të kryeqytetit – dhe të vendit – që, pavarësisht pozicioneve në renditje, gjithmonë tërheq vëmendje të jashtëzakonshme.
Sipas njoftimit zyrtar, ky duel do të zhvillohet të shtunën (03.05.2025), dhe jo të dielën siç kishte kërkuar FC Shkupi, për shkak të vlerësimit të lartë të rrezikshmërisë nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme. MPB-ja ka insistuar në ndërrimin e datës për arsye sigurie, duke e klasifikuar takimin si një “ndeshje me rrezik të lartë”.Sfida mes FC Shkupit dhe Vardarit do të luhet në stadiumin e Çairit dhe është caktuar të nisë në orën 16:00. Tifozët, si çdoherë, pritet ta mbushin stadiumin dhe të krijojnë atmosferë unike për një ndeshje që tejkalon futbollin dhe është simbol i krenarisë, identitetit dhe historisë në Shkup.