Komuna e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, ka publikuar listën përfundimtare të përfituesve nga thirrja publike për shfrytëzimin e shtëpizave të drurit në kuadër të aktivitetit “Dimri Kulturor”, në Sheshin e Lidhjes, shkruan Gazeta e Re
Sipas listës zyrtare të publikuar, janë përzgjedhur gjithsej 15 përfitues. Megjithatë, pas një informate të pranuar në redaksinë tonë nga një qytetar, se numri i shtëpizave në terren është më i madh se ai i përfshirë në listën zyrtare të përfituesve, ekipi ynë ka dalë në terren për verifikim. Gjatë këtij verifikimi, është konstatuar se në hapësirën ku po zhvillohet aktiviteti janë të vendosura 20, madje deri në 21 shtëpiza druri, çka nënkupton se 5–6 shtëpiza nuk janë përfshirë në procesin e shpallur publikisht.
Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje lidhur me mënyrën e shfrytëzimit të këtyre shtëpizave dhe procedurat që do të ndiqen për ndarjen e tyre.
Në këtë drejtim, redaksia jonë i ka dërguar një kërkesë zyrtare për sqarim Komunës së Prizrenit, duke kërkuar përgjigje për këto çështje
Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Komuna e Prizrenit nuk ka kthyer përgjigje, pavarësisht kërkesës zyrtare të dërguar me email./Gazeta e Re

Lista përfundimtare e përfituesve













