Mosformimi i institucioneve, reagon shoqëria civile: Një nga pasojat më të ndjeshme, ratifikimi i marrëveshjes me BE-në

Përfaqësues të shoqërisë civile, organizata joqeveritare dhe aktivistë kanë reaguar me shqetësim për moskrijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të shkurtit, duke paralajmëruar për pasoja.

“Votuesit e Kosovës e bënë pjesën e tyre dhe shprehën vullnetin e tyre politik. Tani radha është e forcave politike parlamentare që këtë besim të shndërrojnë në institucione”, thonë ata.

OJQ-të thonë se një nga pasojat më të ndjeshme të mosthemelimit të institucioneve është edhe ngecja në ratifikimin e Marrëveshjes së Facilitetit me BE-në.

“Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje, së bashku me marrëveshjen për huazim, është kyç për kualifikimin për parafinancim prej 61.8 milionë eurosh. Ky Plan parasheh zbatimin e reformave të rëndësishme për integrimin evropian të vendit si dhe financimin e tyre me anë të fondeve nga ana e BE-së. Kosova parashihet që të përfitojë deri në 883 milionë euro për zbatimin e Agjendës së Reformave”.

Për këtë plan, të mbështetur nga Bashkimi Europian dhe i hartuar në kuadër të përpjekjeve për përshpejtimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, organizatat thonë se përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik si dhe integrim europian.

Zvarritja e ratifikimit rrezikon jo vetëm përfitimet e drejtpërdrejta financiare, por edhe kredibilitetin e Kosovës si partnere e besueshme në proceset europiane, thuhet në reagim.

“Shoqëria civile ka ndjekur me vëmendje procesin e negociimit të marrëveshjes dhe e konsideron atë një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së reformave të domosdoshme ekonomike dhe demokratike. Ratifikimi i saj nuk është vetëm një obligim teknik, por një deklaratë e qartë politike se Kosova synon zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim të plotë në Bashkimin Evropian”.

“Prandaj, ne të nënshkruarit në këtë deklaratë, i bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës dhe të gjithë deputetëve që të vendosin interesin publik dhe të ardhmen e qytetarëve mbi kalkulimet e ngushta politike dhe të ratifikojnë këtë marrëveshje sa më shpejtë që është e mundur. Mosratifikimi apo vonesa në këtë proces do të ishte një humbje e madhe strategjike për vendin”.

 

Kategoritë
LajmeVendi