Mori 100 dollarë ryshfet, zyrtari i Gjendjes Civile dënohet me 10 mijë euro gjobë dhe dy vite burgim me kusht

Gjykata Themelore në Prishtinë të mërkurën ka aprovuar marrëveshjen për pranim fajësie e lidhur mes Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe mbrojjtes së të akuzuarit Imer Sllamniku, duke e dënuar të akuzuarin me 10 mijë euro gjobë dhe dy vite burgim me kusht për akuzën se në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile në Lipjan ka pranuar ryshfet 100 dollarë amerikanë.

Fillimisht, prokurori i rastit Zef Prendrecaj, njoftoi Gjykatën se me kërkesë nga mbrojtësi i të akuzuarit Sllamniku, avokati Fanol Krasniqi, kanë negociuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e cila është arritur duke rekomanduar edhe dënimin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurit në rastin konkret mbeshtetet në faktet dhe provat materiale që janë paraqitur në aktakuzë. Andaj, edhe njëherë mbesim në tërësi pranë marrëveshjes që e kemi dorëzuar në gjykatë dhe rekomandimit për dënimin dhe dënimin plotësues”, tha prokurori.

Lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë është deklaruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sllamniku, avokati Krasniqi, i cili tha se marrëveshja është arritur nga i pandehuri në mënyrë vullnetare dhe pa presion.

“I pandehuri ka qenë në dijeni për pasojën e pranimit të fajësisë, mbi bazën e marrëveshjes që është nënshkruar në mes meje, kryeprokurorit dhe prokurorit, andaj konsideroj se marrëveshja e tillë duhet të aprovohet nga gjykata dhe e njëjta të jetë pjesë përbërëse e shkresave të lëndës”, tha avokati Krasniqi.

Ndërsa, edhe i akuzuari Sllamniku deklaroi se e mbështetë fjalën e avokatit të tij dhe se kjo marrëveshje është arritur në menyrë vullnetare dhe pa presion apo premtim.

Kurse, në seancën për caktimin e dënimit, prokurori Prendrecaj ka paraqitur lartësinë e dënimit të negociuar, ku është rekomanduar dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh, i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër penale brenda kohëzgjatjes së verifikimit prej 2 vitesh në pajtim me dispoziatat ligjore.

Gjithashtu, prokurori rekomandoi edhe dënimin plotësues si pjesë e marrëveshjes për pranim fajësie- ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratë publike ose shërbime publike sipas nenit 59, paragrafi 1 dhe 2, pika 2.3, dhe neni 62 dhe 63 të Kodit Penal.

Lidhur me dënimin kryesor, avokati Krasniqi kosnideroi se me këtë dënim do arrihet qëllimi i dënimit.

Ai kërkoi që dënimi me gjobë të mundësohet nga gjykata që të paguhet me këste, kurse për dënimin plotësues kërkoi që të zgjidhet në procedurë administrative nga institucioni ku punon i mbrojturi i tij.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Alltën Murseli më pas caktoi shpalljen, ku të akuzuarin Sllamniku e shpalli fajtor për veprën penale “Marrje e ryshfetit” dhe e dënoi me gjobë në shumën prej 10 mijë euro si dhe me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vitesh i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale nën masën e mbikëqyrjes në kohëzgjatje prej dy vitesh.

Dënimin me gjobë, i akuzuari mund ta paguajë me katër këste.

Të akuzuarit iu shqiptua edhe dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike ose shërbime publike në kohëzgjatje prej një viti.

Gjyqtarja Murseli njoftoi se të akuzuarit Sllamniku i cili gjendet nën masën e paraburgimit i ndërpritet kjo masë sot.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 22 korrik 2025, i akuzuari Imer Sllamniku ngarkohej se më 14 korrik 2025, në Qendrën e Regjistrimit Civil në Lipjan, në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile në Lipjan, në mënyrë të drejtpërdrejtë, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare duke i kërkuar të dëmtuarit A.K., shumën e parave në vlerë prej 100 euro për t’ia rregulluar Pasaportën dhe Letërnjoftimin e bashkëshortes së të dëmtuarit dhe më pas në mënyrë të kundërligjshme ka pranuar shumën e të hollave prej 100 dollarë amerikanë.

Aktakuza thotë se pas pranimit të parave, tek i pandehuri janë gjetur paratë në xhep të pantallonave dhe pranimi i tyre vërtetohet edhe në bazë të video-incizimit.

Me këtë, i akuzuari Imer Sllamniku ngarkohej ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal.

 

Kategoritë
LajmeVendi