Ushtria e Sllovenisë, të hënën më 18 gusht, me avionin transportues Spartan C-27 ka dorëzuar dërgesën e parë të ndihmës humanitare për popullsinë civile palestineze në Gaza.
Ndihma, e cila përbëhet nga ushqim dhe batanije, u dërgua përmes Jordanisë dhe vjen nga rezervat materiale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë Sllovene.
Vendimin për dërgimin e ndihmës e mori Qeveria e Republikës së Sllovenisë më 6 gusht, ndërsa vlera e përgjithshme e paketës, së bashku me shpenzimet e transportit, është vlerësuar në 879.490 euro.
Kjo është paketa e tretë e ndihmës që Sllovenia dërgon për banorët e Gazës të prekur nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit.
Dërgesën e parë nga aeroporti ushtarak Cerklje ob Krki e përcolli ministri i mbrojtjes Borut Sajovic, i cili theksoi se është përgjegjësi e Sllovenisë të ndihmojë civilët në zonën e luftës. Sipas tij, në Gazën e shkatërruar po dërgohen gjërat më elementare që njerëzit të kenë çfarë të hanë dhe me çfarë të ngrohen.
Ai shtoi gjithashtu se për herë të parë në histori, shteti është përfshirë me kapacitetet e veta ushtarake, ku avioni Spartan C-27 me tre fluturime deri në fund të gushtit do të transportojë gjithë ndihmën e planifikuar.
Situata humanitare në Gaza mbetet dramatike. Pas sulmeve të Izraelit, numri i viktimave palestineze po rritet, shumica prej tyre civilë. Popullsia përballet me mungesë ushqimi, uji, energjie elektrike dhe karburanti, ndërsa spitalet dhe institucionet shëndetësore janë buzë kolapsit. Uria dhe përhapja e sëmundjeve po rrezikojnë edhe më shumë gratë, fëmijët dhe grupet tjera të ndjeshme.
Ndihma sllovene arriti në një bazë ushtarake pranë Amanit, ku u prit nga konsulli i nderit i Sllovenisë në Jordani, Ari Haider Isa Murat.