Mira Murati refuzoi ofertën e Zuckerbergut – po punon në një projekt të fshehtë me potencial të jashtëzakonshëm

Ish-drejtoresha teknologjike e OpenAI, Mira Murati, ka refuzuar një ofertë shumë të lartë financiare nga drejtori ekzekutiv i kompanisë Meta, Mark Zuckerberg, i cili synonte të blejë startupin e saj të ri Thinking Machines Lab, raportoi Wall Street Journal.

Zuckerberg, në përpjekje për të avancuar në garën globale për zhvillimin e inteligjencës artificiale (IA), i bëri Muratit një ofertë për blerje që ajo e refuzoi. Pas refuzimit, ai kontaktoi rreth 10 nga 50 kolegët e saj për t’i bindur të largohen nga kompania e saj.

Synimi kryesor ishte Andrew Tulloch, bashkëthemelues dhe një nga studiuesit më të rëndësishëm të kompanisë. Zuckerberg i ofroi atij një paketë që mund të arrinte vlerën prej 1.5 miliardë dollarësh në gjashtë vjet – por Tulloch, sikurse edhe të tjerët, refuzoi.

Zëdhënësi i Metas, Andy Stone, mohoi saktësinë e raportimeve, duke i quajtur “qesharake”, dhe shtoi se Meta nuk ka interes të blejë Thinking Machines Lab.

Në Silicon Valley, është e rrallë që dikush të refuzojë një ofertë me nëntë shifra. Por përballja për talentet në fushën e inteligjencës artificiale nuk po fiton më vetëm me para. Studiuesit më të mirë shpesh qëndrojnë të lidhur me themeluesit e tyre, të cilët trajtohen si “yje rock-u” në industrinë teknologjike, dhe janë të tërhequr nga mundësia për të ndërtuar diçka me ndikim të madh.

Mira Murati, me origjinë nga Shqipëria, la pozicionin e saj në OpenAI në shtator 2023 dhe në shkurt u bë drejtoreshë ekzekutive e Thinking Machines Lab. Bashkë me të erdhën edhe 20 kolegë nga OpenAI, përfshirë John Schulman, një nga mendjet kryesore pas zhvillimit të ChatGPT.

Puna që po zhvillohet në këtë kompani është mbajtur në fshehtësi të plotë. Deri tani dihet vetëm se kompania ka tërhequr 2 miliardë euro investime dhe se synimi i saj është të zhvillojë inteligjencë artificiale që është “më e kuptueshme, e adaptueshme dhe më e përgjithshme në aftësi”.

Murati ka paralajmëruar se produkti i parë do të prezantohet në muajt në vijim – dhe pritshmëritë në industrinë e teknologjisë janë jashtëzakonisht të larta.

Kategoritë
BotaLajme