– Ministria deklaroi se është vërejtur rritje e konsiderueshme e numrit të rasteve të dyshuara dhe të konfirmuara të meningjitit, veçanërisht tek fëmijët nën moshën 5-vjeç
Ministria Palestineze e Shëndetësisë në Gaza deklaroi se lënia jashtë shërbimi e spitaleve dhe qendrave të kujdesit shëndetësor parësor nga ushtria izraelite ka ndërprerë shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe ka çuar në një “rritje alarmante” të rasteve të meningjitit në rajon, transmeton Anadolu.
Ministria deklaroi se është vërejtur rritje e konsiderueshme e numrit të rasteve të dyshuara dhe të konfirmuara të meningjitit, veçanërisht tek fëmijët nën moshën 5-vjeç, dhe se ky grup është në rrezikun më të lartë për t’u prekur nga sëmundja dhe për të përjetuar ndërlikime serioze.
Deklarata thekson se niveli i shërbimeve të kujdesit shëndetësor në Gaza ka rënë me mbylljen e spitaleve dhe qendrave të kujdesit shëndetësor parësor. Gjithashtu vihet në dukje se mungesat e mëdha të ilaçeve dhe mungesa e vaksinave për fëmijë kanë kufizuar ndjeshëm përpjekjet e reagimit ndaj emergjencave.
Pasi tërhiqet vëmendja se situata e përgjithshme shëndetësore në Gaza është bërë një mjedis i favorshëm për përhapjen e sëmundjeve për shkak të disa faktorëve “seriozë dhe të rrezikshëm”, më tej në deklaratë thuhet se kjo situatë ka prekur veçanërisht grupet me imunitet të dobët dhe të pambrojturit si fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna.
Ministria paralajmëroi gjithashtu se kushtet e tmerrshme në strehimore, mungesa e ujit të pijshëm, përhapja e ujërave të zeza dhe grumbullimi i mbeturinave po e përkeqësojnë më tej situatën shëndetësore në Gaza.
Deklarata e ministrisë u bën thirrje të gjitha palëve përkatëse të ndërmarrin veprime urgjente për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, përfshirë forcimin e listave të ilaçeve të nevojshme për trajtimin e rasteve të identifikuara dhe sigurimin e vaksinimeve të detyrueshme.
Ministria e Shëndetësisë i bëri thirrje popullatës të ndjekë masat mbrojtëse dhe udhëzimet mjekësore për të kufizuar përhapjen e sëmundjes, veçanërisht tek fëmijët