Ministri i Transportit i Turqisë, Abdulkadir Uraloğlu, është gjobitur për tejkalim shpejtësie pasi vetë publikoi në rrjetin social X një video nga ngasja e tij në autostradë, të shoqëruar me hashtagun #TürkiyeHızlanıyor.
Ngjarja ka ndodhur më 24 gusht, në një pjesë të autostradës pranë Ankarasë. Në videon e shpërndarë, Uraloğlu shihet duke dëgjuar një këngë popullore të përzier me fragmente të fjalimeve të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa automjeti i tij lëvizte me shpejtësi midis 190 dhe 225 km/h, ndonëse kufiri i lejuar ishte 140 km/h.
Vetë ministri konfirmoi disa orë pas publikimit të videos se ishte sanksionuar për shkeljen e rregullave të komunikacionit, duke paguar një gjobë prej 9.267 lirash turke (rreth 373 euro). Ai gjithashtu premtoi se në të ardhmen do të jetë më i kujdesshëm dhe u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut, raporton The Guardian.