Sergei Shoigu përshkroi rebelimin e armatosur si “një përpjekje për të destabilizuar situatën në vend” dhe një “veprim provokues
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se rebelimi i armatosur i kompanisë ruse të sigurisë Wagner nuk ndikoi në veprimet e trupave ushtarake dhe se ata vazhduan të përmbushin me guxim dhe vetëmohim detyrat e caktuara, transmeton Anadolu.
Gjatë një takimi me zyrtarë ushtarakë sot, Shoigu bëri deklaratën e tij të parë në lidhje me rebelimin e armatosur të grupit mercenar rus Wagner kundër autoriteteve ruse muajin e kaluar.
Duke e përshkruar këtë rebelim si “një përpjekje për të destabilizuar situatën në vend” dhe një “veprim provokues”, Shoigu tha se: “Plane të tilla dështuan për faktin se personeli i Forcave të Armatosura të Rusisë tregoi besnikëri ndaj vlerave për të cilat janë betuar dhe ndaj detyrave ushtarake. Ky provokim nuk ndikoi në veprimet e trupave. Ushtarët vazhduan t’i kryejnë detyrat me guxim dhe vetëmohim”.
Duke iu referuar situatës në frontet në Ukrainë, Shoigu tha se forcat e armatosura ruse vazhduan sulmet e tyre dhe reduktuan potencialin sulmues të ushtrisë ukrainase.
Ai u shpreh se sulmet e forcave ushtarake ukrainase në drejtim të Donetsk-ut dhe Zaporizhzhia-s ishin “të pasuksesshme”.
“Në ato drejtime u shkatërruan 920 pjesë të pajisjeve të ndryshme ushtarake të ushtrisë ukrainase, duke përfshirë 15 avionë, tre helikopterë, 16 tanke Leopard”, shtoi ai.
Ministri rus i Mbrojtjes gjithashtu tha se ushtria ukrainase nuk mund t’i arrijë qëllimet e saj në asnjë drejtim.
Kujtojmë se më 24 qershor, grupi paraushtarak Wagner akuzoi Ministrinë ruse të Mbrojtjes se kishte sulmuar luftëtarët e saj.
Themeluesi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, më pas shpalli “Marshimin e Drejtësisë” dhe me forcat e tij kaloi kufirin ukrainas dhe hyri në qytetin rus Rostov-on-Don, duke marrë nën kontroll objektet kryesore ushtarake.
Prigozhin njoftoi se luftëtarët e tij do të lëviznin drejt Moskës, duke bërë që Kremlini të forcojë masat e sigurisë në rajone të ndryshme të Rusisë.
Ai më vonë tha se luftëtarët e tij vendosën të ktheheshin për të shmangur gjakderdhjen, kur ishin 200 kilometra larg Moskës, ndërsa presidenti bjellorus Alexander Lukashenko tha se kishte ndërmjetësuar një marrëveshje për de-eskalim të situatës.
