Ministri polak i mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, konfirmoi se një dron rus është rrëzuar në një arë misri në Poloni dhe tha se shkelja e hapësirës ajrore polake është një tjetër provokim rus.
Në një konferencë për media ai theksoi se kjo ndodhi në një moment kyç, në mes të përpjekjeve intensive për të arritur një armëpushim ose madje fundin e luftës në Ukrainë.
“Rusia po provokon sërish vendet e NATO-s. Pas incidenteve me dronë në Rumani, Lituani dhe Letoni, tani përballemi përsëri me një dron rus. Ky është një moment posaçërisht i ndjeshëm, kur janë duke u zhvilluar bisedime paqeje,” tha ai.
Ai shtoi se po zhvillohen bisedime në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Mbrojtjes dhe se “të gjithë aleatët” po informohen për situatën.
Sipas tij, ai ka ngarkuar komandantin operativ që të përgatisë një raport gjithëpërfshirës mbi këtë provokim rus.