Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, gjatë këtij takimi u diskutua mbi modernizimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe projektet e suksesshme të prokurimit që janë zhvilluar me kompanitë turke.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka takuar në Stamboll në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF 2025) udhëheqësin e Sekretariatit të Industrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Haluk Görgün, transmeton Anadolu.
Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, gjatë këtij takimi u diskutua mbi modernizimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe projektet e suksesshme të prokurimit që janë zhvilluar me kompanitë turke.
“Në veçanti, janë shqyrtuar planet për të ardhmen dhe mundësitë e vazhdimit të prokurimit me kompani si Baykar, si dhe shumë të tjera”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Më tej, bëhet e ditur se ministri Maqedonci theksoi se vizita në IDEF ishte një mundësi e shkëlqyer për të parë nga afër risitë që këto kompani ofrojnë, të cilat janë thelbësore për përmirësimin e aftësive të ushtrisë kosovare.
Gjatë ditës së djeshme, në kuadër të panairit në Stamboll, Maqedonci është takuar edhe me ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Yaşar Güler, me të cilin theksoi se diskutuan për situatën gjeopolitike aktuale, avancimin e FSK-së dhe rëndësinë e mbështetjes që Kosova po merr nga Turqia.