Itamar Ben-Gvir deklaroi se qeveria izraelite nuk do ta lejojë presidentin amerikan Donald Trump të nënshkruajë, siç e quajti ai, një “marrëveshje të keqe” me Irani.
Ben-Gvir i bëri thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të ushtrojë presion ndaj Trumpit dhe t’i bëjë të qartë se Izraeli nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që e konsideron kërcënim për sigurinë e tij.
“I bëj thirrje kryeministrit Netanyahu: telefonoje Trumpin, shko tek ai, godit tavolinën para tij dhe thuaji qartë se shteti i Izraelit nuk është i gatshëm, nuk është i gatshëm ta pranojë këtë dhe nuk është i gatshëm ta tolerojë këtë”, deklaroi Ben-Gvir.
Duke folur për reagimet e komunitetit ndërkombëtar ndaj veprimeve të Izraelit në rajon, Ben-Gvir tha se Izraeli nuk është më “thesi i goditjeve të Lindjes së Mesme”.
“Në dritën e reagimeve në mbarë botën, mund të kuptoni një gjë: Izraeli ka pushuar së qeni thesi i goditjeve të Lindjes së Mesme dhe jam krenar për këtë”, tha ai.
Ai shtoi se politika që mbështet nuk është politikë e “sanduiçëve dhe luleve”, por e një përgjigjeje të ashpër ndaj kërcënimeve.
“Politika që ndjek nuk është politikë e dhënies së sanduiçëve dhe luleve. Kjo nuk ndihmon. Ata kthehen vazhdimisht. Tallën me ne. Na quajnë budallenj kur sillemi ashtu siç presin ata”, u shpreh Ben-Gvir.
Ai pretendoi gjithashtu se edhe vendet evropiane, sipas tij, kanë filluar të ndryshojnë qasje.
“E patë që edhe evropianët duket se kanë mësuar diçka. Çuditërisht, kjo funksionon. Mesazhi po arrin tek ata”, deklaroi ai.
Ben-Gvir komentoi edhe situatën në Libani dhe lëshoi deklarata kërcënuese lidhur me veprimtarinë e Hezbollah.
“Nëse qeveria libaneze nuk e kontrollon Hezbollahun, atëherë territori në jug të lumit Litani, madje edhe në jug të Zahranit, duhet të bëhet zonë sigurie për shtetin e Izraelit”, deklaroi ai.
Ai shtoi se sipas qëndrimit të tij, Izraeli duhet të ndërpresë furnizimin me energji elektrike dhe të shkatërrojë infrastrukturën në ato zona.
“Duhet të ndërpresim energjinë elektrike, të shkatërrojmë infrastrukturën dhe t’ua bëjmë të qartë: nëse ka terrorizëm, ju do të vuani”, përfundoi Ben-Gvir.










