Ministri izraelit, Eliyahu: Sulmi ndaj Iranit “do të jetë surprizë”

“Në strategji, lufta zhvillohet papritur”, tha ministri izraelit i Trashëgimisë, Amichai Eliyahu

Ministri izraelit i Trashëgimisë, Amichai Eliyahu aludoi se çdo sulm i mundshëm ushtarak izraelit ndaj Iranit do të ishte “surprizë” mes tensioneve në rritje rajonale, transmeton Anadolu.

“Nuk është e sigurt nëse dikush prej nesh e di se kur dhe si do të ndodhë sulmi ndaj Iranit”, citoi gazeta “Yedioth Ahronoth” Eliyahun të ketë thënë, mes raportimeve të medias rreth planeve izraelite për të sulmuar Iranin.

“Të gjithë e kujtojnë sulmin e papritur ndaj (ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut) Hassan Nasrallah”, shtoi ai.

“Në strategji, lufta zhvillohet papritur”, tha Eliyahu pa dhënë detaje të mëtejshme.

Komentet e tij erdhën ndërsa raportet për përparimin e bllokuar në negociatat indirekte bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit nxitën pasiguri në Lindjen e Mesme.

Pika kryesore e ngërçit në bisedimet bërthamore midis Teheranit dhe Washingtonit mbetet programi i pasurimit të uraniumit të Iranit.

Teksa SHBA-ja kërkon një ndalesë të plotë të pasurimit, negociatorët iranianë këmbëngulin se programi është i panegociueshëm dhe do të vazhdojë me ose pa një marrëveshje.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili më parë ka mbështetur një përgjigje ushtarake nëse diplomacia dështon, tha të mërkurën se ishte më pak i sigurt se Irani do të pranonte të ndalonte pasurimin e uraniumit.

Ministri iranian i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh paralajmëroi po atë ditë se Irani do të sulmonte bazat ushtarake amerikane në rajon nëse vendi i tij sulmohet.

SHBA-ja, Izraeli dhe disa vende të tjera e akuzojnë Iranin se kërkon të zhvillojë armë bërthamore. Teherani insiston se programi i tij bërthamor është paqësor dhe synon prodhimin e energjisë.

Izraeli mbetet i vetmi vend në rajon që besohet se posedon arsenal bërthamor, megjithëse nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht atë dhe nuk i nënshtrohet inspektimeve ndërkombëtare.

Kategoritë
BotaLajme