Ministri iranian i Mbrojtjes: Jemi gati për sulmet e reja izraelite

Ministri i Mbrojtjes së Iranit, Aziz Nassirzadeh, deklaroi se vendi është i gatshëm për çdo sulm të ri izraelit dhe shtoi se janë zhvilluar raketa me kapacitete më të mëdha se ato që u përdorën gjatë luftës së fundit 12-ditore.

“Raketat që u përdorën në luftën 12-ditore janë prodhuar disa vite më parë. Sot kemi prodhuar dhe posedojmë raketa me kapacitete shumë më të mëdha se ato të mëparshmet, dhe nëse armiku sionist nis sërish ndonjë aventurë, pa dyshim që do t’i përdorim”, tha ministri, sipas agjencisë së lajmeve IRNA.

Përplasja 12-ditore ndërmjet Izraelit dhe Iranit filloi më 13 qershor me një sulm izraelit,

Izraeli deklaroi se sulmi gjithëpërfshirës kundër liderëve më të lartë ushtarakë iranianë, shkencëtarëve bërthamorë, vendndodhjeve të pasurimit të uraniumit dhe programit të raketave balistike ishte i domosdoshëm për të ndalur Iranin nga realizimi i “planit të hapur për shkatërrimin e shtetit hebre”.

Irani iu përgjigj sulmeve izraelite duke lëshuar mbi 500 raketa balistike dhe rreth 1100 dronë drejt Izraelit.

Nga sulmet në Izrael, sipas zyrtarëve shëndetësorë dhe spitaleve, kanë humbur jetën 31 persona dhe janë plagosur mbi 3000 të tjerë. Ndërkohë, të paktën 430 persona kanë vdekur dhe mbi 3.500 janë plagosur nga sulmet izraelite në Iran.

Kategoritë
BotaLajme