Ministri i Mbrojtjes së Iranit, Aziz Nassirzadeh, deklaroi se vendi është i gatshëm për çdo sulm të ri izraelit dhe theksoi se janë zhvilluar raketa me aftësi më të mëdha se ato të përdorura gjatë luftës së tyre të fundit 12-ditore.
“Raketat e përdorura në luftën 12-ditore ishin prodhuar disa vite më parë. Sot ne kemi prodhuar dhe posedojmë raketa me kapacitete shumë më të mëdha se ato të mëparshmet, dhe nëse armiku sionist nis përsëri një aventurë, pa dyshim do t’i përdorim ato,” tha ministri i Mbrojtjes, sipas agjencisë iraniane IRNA.
Lufta 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit filloi më 13 qershor me një sulm izraelit.
Izraeli deklaroi se sulmi i tij gjithëpërfshirës ndaj udhëheqësve më të lartë ushtarakë iranianë, shkencëtarëve bërthamorë, lokacioneve të pasurimit të uraniumit dhe programit të raketave balistike ishte i domosdoshëm për të parandaluar Iranin nga realizimi i “planit të hapur për shkatërrimin e shtetit hebre”.
Irani iu përgjigj sulmeve izraelite duke lëshuar mbi 500 raketa balistike dhe rreth 1.100 dronë drejt Izraelit. Në sulme u vranë 31 persona dhe u plagosën mbi 3.000 të tjerë në Izrael, sipas zyrtarëve shëndetësorë dhe spitaleve. Ndërkohë, të paktën 430 iranianë u vranë dhe mbi 3.500 u plagosën nga sulmet izraelite në Iran.