“Forca nuk matet me numrin e njerëzve që mund të bombardosh ose numrin e fëmijëve që mund t’i lini të uritur”, tha ministri australian Burke duke iu përgjigjur Netanyahut.
Ministri i Punëve të Brendshme të Australisë, Tony Burke, iu përgjigj komentit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për kryeministrin australian Anthony Albanese, ku e quan atë “politikan i dobët”, duke thënë: “Forca nuk matet me numrin e njerëzve që mund të bombardoni ose numrin e fëmijëve që mund t’i lini të uritur”.
Tensionet vazhdojnë midis dy vendeve pas vendimit të Australisë për njohjen e shtetit të Palestinës dhe revokimit të mëvonshëm të vizës së Simcha Rothman, një anëtar i Partisë së Sionizmit Fetar të ekstremit të djathtë në Izrael, me arsyetimin se ai po “shkakton përçarje”.
Ministri Burke reagoi ndaj komenteve të Netanyahut në lidhje me Albanese në një intervistë me ABC News, ku kryeministri izraelit tha: “Historia do ta kujtojë Albanese ashtu si ishte, një politikan i dobët që tradhtoi Izraelin dhe braktisi hebrenjtë australianë”.
Burke, duke vënë në dukje se Netanyahu sulmoi ashpër vendet që mbështesin një shtet palestinez, tha: “Forca nuk matet me numrin e njerëzve që mund të bombardoni ose numrin e fëmijëve që mund t’i lini të uritur. Forca matet shumë më mirë me atë që bën kryeministri Anthony Albanese”.
Ministri australian duke vënë në dukje se viza e Rothmanit u anulua për etiketimin e drejtpërdrejtë të fëmijëve palestinezë si “armiq”, në lidhje me koalicionin opozitar që kundërshton vendimin e Australisë për të njohur Palestinën tha: “Koalicioni duket se mendon se vetëm ata që dëmtojnë komunitetin hebre duhet të refuzohen. Ata nuk mendojnë se unë duhet t’i refuzoj ata që dëmtojnë komunitetin palestinez ose musliman”.
Nga ana tjetër, kryeministri Albanese, në përgjigjen e tij lidhur me deklaratat e Netanyahut ndaj tij, tha se ai “i respekton udhëheqësit e vendeve të tjera dhe nuk i merr këto deklarata personalisht”.