Në Gjykatën Themelore në Prishtine të enjten e 31 korrikut në orën 10:30 u shpall aktgjykimi ndaj Milosh Pleskoviqit, të akuzuarit për krime të luftës në Prizren, raporton Ekonomia Online.
Gjykata themelore në Prishtinë, departamenti special, “në seancë të hapur dhe publike, shpalli aktgjykim ku i akuzuari shpallet fajtor për veprën kriminale krime lufte kundër popullatës civile për shkak që në cilësinë e pjesëtarit të forcave serbe ka marrë pjesë në vrasjen e tre qytetarëve, prandaj të njëjtit i shqiptohet dënim prej 15 vjetësh ”, u shpreh gjyqtari Rrahman Beqiri, raporton Ekonomia Online.
Pleskoviq u akuzua se gjatë vitit 1998-‘99 në Prizren në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë.
Fatmir Bojaxhiu, Binak e Reshat Daci, janë viktimat e vrara nga Pleskoviq, më 1 shtator 1998.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, thuhet se Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-’99 në Prizren, në bashkëkryerje me person tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.