Në një seancë të Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnjës dhe Hercegovinës (CIK BiH), Milorad Dodikut i është hequr mandati si president i Republikës Srpska.
Sipas raportimit të mediave në BeH, përcjell Telegrafi, ky vendim u miratua unanimisht.
Siç thuhet më tej, mbrojtja e Dodikut ka të drejtë të apelojë këtë vendim në Divizionin e Apelit të Gjykatës së BeH, i cili shqyrton ankesat zgjedhore.
Pasi të ketë skaduar procesi i apelimit, vendimi do të bëhet i formës së prerë.
Apeli mund të paraqitet brenda dy ditëve nga marrja e vendimit.
Dhe sapo vendimi i sotëm të bëhet i formës së prerë, KQZ-ja do të marrë një vendim për thirrjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Seanca e KQZ-së me këtë pikë të rendit të ditës erdhi pasi Dodik u dënua me një vit burg dhe iu dha një ndalim gjashtëvjeçar për të mbajtur detyrën e Presidentit të Republikës Srpska.
Avokati i Dodikut, Goran Bubiq, ka njoftuar tashmë se ai do të kërkojë një masë të përkohshme për të shtyrë ekzekutimin e këtij vendimi, të cilin do ta apelojë në Gjykatën Kushtetuese të BiH.
Për të mbajtur detyrën që mban, Dodik dhe SNSD-ja po i bëjnë thirrje opozitës së RS-së të formojë një “qeveri të unitetit kombëtar”.
Megjithatë, opozita nuk është ende “në disponim t’i shtrijë dorën Dodikut” pas fyerjeve të shumta dhe i quan ata “mercenarë të huaj” dhe “shërbëtorë të Sarajevës”. /Telegrafi/