Peter Thiel, bashkëthemelues i kompanisë së pagesave digjitale PayPal dhe një prej investitorëve kryesorë në startup-et e rrezikut të Silicon Valley-t, është shprehur i shqetësuar për mundësinë e një përplasjeje ndërbreznore, si dhe për të ardhmen e vetë kapitalizmit.
Në qendër të vëmendjes publike është vënë një email që ai kishte dërguar pesë vjet më parë, pas fitores së javës së kaluar të kandidatit të majtë Zohran Mamdani në zgjedhjet për kryetar bashkie të Nju Jorkut. Fjala është për një email që Thiel i kishte dërguar themeluesit të Facebook-ut Mark Zuckerberg, biznesmenit Marc Andreessen dhe disa personave të tjerë.
Në atë email, Thiel kishte shkruar se 70 për qind e milenialëve (personat e lindur midis viteve 1981–1996) e konsiderojnë veten me prirje prosocialiste. Ai u kishte bërë thirrje marrësve të emailit që të mos e përbuzin këtë brez duke i quajtur “të marrë, të përkëdhelur apo me tru të shpëlarë”, por të përpiqen t’i kuptojnë arsyet pse ata kanë qëndrime të tilla.
Ajo që kishte shkruar në këtë email, Thiel e shpjegoi javën e kaluar në një intervistë për portalin “Free Press” të Nju Jorkut. Ai vlerësoi se nga rregullat e zonimit dhe kufizimet ndërtimore në Nju Jork kanë përfituar më shumë “baby boomers” (të lindur midis viteve 1946–1964), pasi çmimet e pasurive të tyre janë rritur ndjeshëm. Por, sipas tij, kjo ka qenë katastrofike për milenialët, të cilët e kanë pasur jashtëzakonisht të vështirë të blejnë një banesë.
“Nëse i proletarizoni të rinjtë, mos u habisni nëse përfundimisht bëhen komunistë”,
— ka deklaruar Thiel, i cili mbështet presidentin amerikan Donald Trump.
Edhe pse nuk pajtohet me mënyrën se si Mamdani synon t’u sigurojë njerëzve strehim, Thiel pranoi se Mamdani ka folur për këtë çështje shumë më tepër sesa kandidatët e tjerë të “establishmentit” për kryetar bashkie. Ai shtoi se nuk është i sigurt nëse të rinjtë janë realisht për socializmin apo thjesht të zhgënjyer nga kapitalizmi vetë, raporton gazeta ekonomike Fortune./Gazeta e Re









