Qindra qytetarë u mblodhën sot përpara selisë së kryeministrit britanik në Downing Street në Londër, duke kërkuar nga Mbretëria e Bashkuar që sa më parë të njohë Palestinën si shtet të pavarur.
Përveç flamujve palestinezë, qytetarët mbanin edhe tenxhere e tiganë, duke brohoritur me mesazhe si: “Çfarë po prisni më?” dhe “Çlironi Gazën menjëherë”. Në këtë mënyrë, ata donin të tërhiqnin vëmendjen për urinë në rritje dhe katastrofën humanitare me të cilën përballen banorët e Rripit të Gazës.
Ndërkohë, qeveria britanike ka pranuar një letër të nënshkruar nga mbi 200 parlamentarë që kërkojnë fillimin e procedurës për njohjen e Palestinës si shtet i pavarur.
Rreth 221 deputetë nga spektri i gjerë politik firmosën të premten një letër të hapur, ku i bëjnë thirrje qeverisë laburiste të Keir Starmer që ta njohë shtetin palestinez përpara konferencës së Kombeve të Bashkuara për Palestinën, që do të mbahet javën e ardhshme.
“Presim që rezultati i konferencës të jetë që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të përcaktojë se kur dhe si do të veprojë në përputhje me angazhimin e saj afatgjatë për zgjidhjen me dy shtete, si dhe si do të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë për ta realizuar këtë,” thuhet në letër.
Ndër nënshkruesit janë deputetë nga nëntë parti politike, deklaroi deputetja laburiste Sarah Champion, përfshirë laburistët, konservatorët, liberalët demokratë, SNP dhe të Gjelbrit.
Më herët, është shprehur edhe kryeministri britanik Keir Starmer, duke thënë se pamjet nga Gaza janë të patolerueshme.
“Mbajtja e vazhdueshme peng e të pafajshmëve, uria dhe mohimi i ndihmës humanitare për popullin palestinez, dhuna në rritje e grupeve ekstremiste të kolonëve dhe përshkallëzimi joproporcional ushtarak i Izraelit në Gazë janë të pajustifikueshme,” deklaroi ai.