Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se ekonomia e vendit të tij ndodhet në një “krizë strukturore” dhe jo vetëm në një fazë të përkohshme “dobësie”, duke pranuar se rikthimi në një rrugë të qëndrueshme ekonomike është më i vështirë sesa ishte parashikuar.
Duke folur të shtunën para anëtarëve të partisë së tij Unioni Kristian-Demokrat (CDU) në Osnabrück, në landin ku ndodhet gjiganti automobilistik Volkswagen, Merz theksoi se sfida me të cilën përballet Gjermania është më serioze se vlerësimet fillestare.
“Po e them edhe në mënyrë autokritike – ky detyrë është më e madhe sesa mendonte dikush para një viti. Nuk ndodhemi vetëm në një periudhë dobësie ekonomike, por në një krizë strukturore të ekonomisë sonë,” tha Merz.
Ai theksoi se pjesë të mëdha të ekonomisë gjermane “nuk janë më vërtet konkurruese”, duke përmendur si shembull rënien drastike të fitimeve të Volkswagen-it, i cili në tremujorin e dytë të vitit shënoi një rënie prej 36% të fitimit pas tatimit. “Kjo është vetëm një nga shumë sinjale për gjendjen e ekonomisë sonë,” shtoi ai.
Merz paralajmëroi se “pas kësaj jave askush nuk duhet të ketë iluzione mbi thellësinë dhe pasojat e gjera të sfidave me të cilat po përballemi”.
Sipas tij, cilësia e produkteve mbetet e lartë dhe menaxherët e kompanive i njohin problemet, por “kushtet bazë në Gjermani thjesht nuk kanë qenë mjaft të mira gjatë dekadës së fundit”.
Rënia e industrisë automobilistike ka rritur më tej shqetësimet për gjendjen e ekonomisë së fuqisë më të madhe të Bashkimit Evropian. Përveç Volkswagen-it, edhe BMW raportoi një rënie të mprehtë të fitimeve në gjysmën e parë të vitit – 29% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.