Merz: Gjermania duhet të jetë e përgatitur për sfidat globale të sigurisë dhe ekonomisë

– “Marrëdhënia transatlantike po ndryshon. Epoka e ‘dividendit të paqes’, siç e quanim më parë, ka përfunduar dhe një erë e ftohtë po fryn kundër nesh në ekonominë globale”, tha kancelari gjerman Merz

Kancelari gjemran, Friedrich Merz u ka bërë thirrje autoriteteve gjermane që të përgatiten më mirë për krizat e mundshme globale në fushën e sigurisë dhe ekonomisë gjatë viteve në vijim, transmeton Anadolu.

Gjatë fjalimit të tij para përfaqësuesve të lartë të shteteve federale në Bundesrat (Këshilli Federal), Merz theksoi se bota po përjeton një transformim të thellë në rendin gjeopolitik.

“Rusia vazhdon luftën e saj agresive kundër Ukrainës, përballemi me kërcënimet hibride ruse të drejtuara ndaj Gjermanisë dhe Rusia teston vazhdimisht gatishmërinë tonë mbrojtëse në kufijtë e jashtëm të NATO-s”, tha Merz.

“Marrëdhënia transatlantike po ndryshon. Epoka e ‘dividendit të paqes’, siç e quanim më parë, ka përfunduar dhe një erë e ftohtë po fryn kundër nesh në ekonominë globale”, tha ai duke iu referuar politikave të sigurisë dhe tregtisë të presidentit amerikan, Donald Trump, të cilat trajtojnë Evropën më shumë si konkurrent se sa si aleat.

“Nuk do të jemi në gjendje të shmangim çdo krizë që do të përballemi ndërkombëtarisht në vitet që vijnë dhe do të jenë të shumta. Por, kjo e bën edhe më të rëndësishme, edhe më urgjente, që të bëjmë gjithçka që mundemi për të konsoliduar dhe forcuar Gjermaninë dhe Evropën”, theksoi ai.

Merz kërkoi mbështetje nga shtetet federale për planet e qeverisë së tij për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Gjermanisë, për të modernizuar infrastrukturën dhe për të rritur investimet për të kapërcyer hendekun në digjitalizim me fuqitë e tjera ekonomike. Ai theksoi se këto masa janë thelbësore për të siguruar rritje dhe mirëqenie në vitet e ardhshme.

Kategoritë
BotaLajme