Kryeministrja italiane Meloni zhvilloi takim dypalësh me presidentin ukrainas Zelenskyy në kuadër të Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës të organizuar nga Italia në Qendrën e Konferencave “La Nuvola” në Romë
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni tha se ishte e kënaqur që përfaqësuesi special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg do të merr pjesë në takimin e “Koalicionit të Vullnetarëve”, duke shtuar se kjo ishte shenjë e qartë dhe e padiskutueshme e bashkëpunimit për sigurinë e Ukrainës dhe Evropës, transmeton Anadolu.
Meloni zhvilloi një takim dypalësh me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy në kuadër të Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës, të organizuar nga Italia në Qendrën e Konferencave “La Nuvola” në Romë.
Pas takimit kokë më kokë, të dy udhëheqësit bënë një deklaratë të përbashkët për mediat.
Meloni, në deklaratën e saj tha se pjesëmarrja në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës ishte “e pabesueshme” dhe se “kjo tregon interes konkret për të investuar në një të ardhme të begatë për Ukrainën dhe për të pasur besim në këtë të ardhme”.
“Ndër çështjet që diskutuam, bashkëpunimi midis industrive tona të mbrojtjes po bëhet gjithnjë e më qendror çdo ditë dhe ne do të vazhdojmë të investojmë në këtë fushë. Sigurimi i aftësisë së Ukrainës për të vazhduar të mbrohet është me rëndësi të madhe, veçanërisht kundër sulmeve gjithnjë e më brutale të Rusisë që synojnë civilët”, tha Meloni.
– Zelenskyy: Nga lufta në shkallë të plotë, nevojitet rindërtim në shkallë të plotë
Presidenti ukrainas Zelenskyy tha se Konferenca për Rindërtimin e Ukrainës, e cila u hap sot në Romë, është e rëndësishme për zhvillimin e vendit të tij.
“Pas një lufte në shkallë të plotë, nevojitet një rindërtim në shkallë të plotë”, tha Zelenskyy, duke iu referuar luftës Rusi-Ukrainë.
Duke deklaruar se ushtria ruse vazhdon të kryejë sulme ajrore intensive kundër vendit të tij, Zelenskyy tha: “Prioriteti ynë kryesor është të mbrojmë jetën e popullit tonë”.
Ai theksoi se ata po vazhdojnë përpjekjet për të rikthyer “mijëra fëmijë ukrainas që u rrëmbyen me forcë në Rusi në fillim të luftës”.
Zelenskyy tha se e diskutuan këtë çështje edhe gjatë takimit të tij me udhëheqësin shpirtëror të katolikëve dhe kreun e Vatikanit, Papa Leoni i XIV. “Dua ta falënderoj shumë Vatikanin për ndihmën e tyre”, shtoi presidenti ukrainas.