Melania Trump i dërgon letër Putinit për fëmijët e rrëmbyer nga Ukraina

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, e ka ngritur çështjen e gjendjes së vështirë të fëmijëve në Ukrainë dhe Rusi, përmes një letre personale që ia ka dërguar presidentit rus, Vladimir Putin, kanë thënë dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan, Donald Trump ia ka dorëzuar letrën Putinit gjatë samiti të mbajtur më 15 gusht në Alaskë, raportojnë agjencitë e lajmeve.

Melania Trump – e lindur në Slloveni – nuk ka marrë pjesë në takimin në Alaskë.

Zyrtarët nuk kanë dhënë më shumë hollësi për përmbajtjen e letrës, por vetëm që është përmendur zhvendosja e fëmijëve si pasojë e nisjes së luftës në Ukrainë.

Dëbimi i fëmijëve ukrainas nga vendi i tyre është një çështje shumë e ndjeshme për Kievin.

Ukraina e ka quajtur rrëmbimin e dhjetëra mijërave fëmijëve të nisur drejt Rusisë, apo në zonat e pushtuara nga Rusia, pa lejen e prindërve të tyre, si krim lufte, që sipas një traktati të Kombeve të Bashkuara, përshkruhet si gjenocid.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përgëzuar Zonjën e Parë, teksa e ka realizuar një bisedë telefonike me presidentin Trump të shtunën, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha.

“Ky është një akt i vërtetë humanizmi”, ka thënë shkruar ai në X – dikur Twitter.

Moska ka thënë në të kaluarën se është duke i mbrojtur fëmijët nga zona e luftës.

Mirëpo, Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, ka thënë se Rusia u ka shkaktuar vuajtje të mëdha miliona fëmijëve ukrainas, dhe i ka shkelur të drejtat e tyre prej nisjes së luftës në Ukrainë në shkallë të plotë më 2022.

Trump dhe Putini kanë diskutuar për gati tri orë në një bazë ushtarake amerikane në Alaskë, por nuk kanë arritur marrëveshje për armëpushim për luftën në Ukrainë.

Trump ka thënë se ekipi i tij ka arritur “përparim të madh” drejt dhënies fund të luftës, mirëpo ende nuk ekziston një marrëveshje.

Putini ka thënë se Rusia këmbëngul në atë që e quan “rrënjë të problemit” – gjuha që përdor Kremlini, përmes së cilës kërkon çarmatosjen e ushtrisë ukrainase, dhe që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO.

Kategoritë
BotaLajme