Meksika dhe BE-ja nisin një kapitull të ri në marrëdhënie me marrëveshjen moderne globale

Presidentja Sheinbaum, së bashku me zyrtarë të tjerë, festuan marrëveshjen ambicioze sipas së cilës do të eliminohen 99 për qind e tarifave për mallrat meksikane, krahas investimeve shumëmilionëshe evropiane

Qeveria e Meksikës, së bashku me Komisionin Evropian, festuan modernizimin e një marrëveshjeje që synon integrimin e ekonomive të tyre dhe forcimin e marrëdhënieve të thella në skenën globale, duke shënuar një epokë të re mes dy palëve, transmeton Anadolu.

Qeveria e presidentes meksikane, Claudia Sheinbaum, përshëndeti një delegacion të BE-së të udhëhequr nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, 26 vjet pasi u nënshkrua marrëveshja e parë globale mes palëve.

Sheinbaum, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Roberto Velasco Alvarez dhe sekretarin e Ekonomisë, Marcelo Ebrard, festuan marrëveshjen ambicioze sipas së cilës do të eliminohen 99 për qind e tarifave për mallrat meksikane, krahas investimeve shumëmilionëshe evropiane.

“Është vërtet një marrëveshje globale që nga fillimi, sepse përfshin gjithashtu dialog politik, bashkëpunim, investime dhe natyrisht tregti. Sot po e ngremë këtë platformë të gjerë në një nivel të ri”, tha von der Leyen gjatë një ceremonie në Pallatin Kombëtar.

Përveç kësaj, strategjia e investimeve Global Gateway e BE-së do të mobilizojë 5 miliardë euro në Meksikë për projekte të reja të prodhimit të energjisë me erë dhe diell, si dhe për iniciativa të mobilitetit të pastër.

“Forca e asaj që po nënshkruajmë sot, përditësimi dhe modernizimi i Traktatit dhe Marrëveshjes Globale, bazohet në një vizion të prosperitetit të përbashkët, punës së përbashkët dhe zhvillimit të përbashkët. Dhe ashtu si Meksika ka një marrëdhënie me SHBA-në, ne kemi gjithashtu një marrëdhënie me BE-në dhe duam t’i forcojmë të dyja marrëdhëniet”, tha Sheinbaum.

Pjesë e marrëveshjes është edhe forcimi i lidhjeve në strategjitë e sigurisë dhe luftën kundër krimit transnacional.

Para ceremonisë dhe nënshkrimit të marrëveshjeve, ministri meksikan i Sigurisë, Omar García Harfuch, u takua me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

Kategoritë
BotaLajme