Gazeta izraelite Yedioth Ahronoth ka raportuar se ushtria izraelite po përballet me një krizë serioze të mungesës së personelit, ndërsa lufta në disa fronte po i konsumon kapacitetet njerëzore dhe operative.
Sipas gazetës, zyrtarë të lartë të sigurisë kanë paralajmëruar për një thellim të shpejtë të lodhjes brenda sistemit ushtarak, duke vlerësuar se niveli i konsumimit të personelit është shumëfish më i madh sesa ishte menduar më parë. Në raport përmendet edhe mundësia e një kolapsi sistemik, ndërsa programet e trajnimit për përbërjen e rregullt të ushtrisë thuhet se janë pezulluar, kurse rezervistët po detyrohen të angazhohen për periudha shumë më të gjata për të mbuluar mungesat në terren.
Kriza po thellohet edhe në Knesset për shkak të mosmarrëveshjeve politike lidhur me zgjatjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe përjashtimeve ligjore të hebrenjve ultra-ortodoksë Haredi nga rekrutimi. Gazeta shkruan se bisedimet politike janë ndalur në momentin kur ushtria po përgatitet që në janarin e ardhshëm të lirojë rekrutët e pranuar në korrik të vitit 2024, pas përfundimit të afatit aktual prej 30 muajsh të shërbimit.
Në raport përfshihet edhe paralajmërimi i zyrtarëve të sigurisë për një “goditje të papritur si sulm në zemër”, pasojat e së cilës, siç theksohet, do t’i bartnin më së shumti pjesëtarët e përbërjes së rregullt dhe rezervë. Sipas të dhënave që përfaqësuesit ushtarakë kanë paraqitur para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Siguri të Knessetit, ushtrisë aktualisht i mungojnë pothuajse 12 mijë ushtarë, përfshirë mes 6 mijë dhe 7 mijë ushtarë luftarakë.
Gazeta paralajmëron se, nëse ligji nuk ndryshohet dhe afati i shërbimit të detyrueshëm nuk rikthehet në 36 muaj, mund të paraqitet një mungesë shtesë prej rreth 2.500 ushtarësh luftarakë. Në të njëjtën kohë, establishmenti i sigurisë këtë periudhë e sheh si mundësinë e fundit për rritjen e numrit të rekrutëve përmes ndryshimeve ligjore, ndërsa presioni ndaj qeverisë po shtohet për shkak të vazhdimit të humbjeve në disa fronte, veçanërisht në veri, ku operacionet e Hezbollahut po e rëndojnë edhe më shumë ushtrinë.









