Mediat austriake: Është publikuar fotografia e sulmuesit përgjegjës për masakrën në Graz

Vetëm disa orë pas masakrës së tmerrshme në shkollën e mesme Dreierschützengasse në Graz, mediat austriake kanë filluar të zbulojnë informacionet e para rreth autorit të këtij krimi të paprecedentë.

Sipas gazetës Kronen Zeitung, bëhet fjalë për një shtetas austriak 22-vjeçar me emrin Arthur A., i cili të martën në mëngjes kishte shkuar në ish-shkollën e tij i armatosur me një pushkë gjahu dhe një pistoletë, duke vrarë të paktën dhjetë persona, e më pas kishte kryer vetëvrasje në tualetin e shkollës. Edhe 12 persona të tjerë janë në gjendje kritike për jetën, ndërkohë që policia ende po përpiqet të zbulojë të gjitha rrethanat e sulmit.

Sipas të dhënave nga hetimet, në banesën e tij është gjetur një bombë artizanale, si dhe një video lamtumire që, sipas të gjitha gjasave, ai e kishte dërguar nënës së tij pak para sulmit. Videoja është hapur vetëm 24 minuta pasi sulmi kishte filluar.

Edhe pse ligji austriak e rregullon në mënyrë strikte publikimin e të dhënave personale në raste të tilla, Kronen Zeitung shkruan se sulmuesi jetonte me nënën e tij beqare në periferi të Grazit, ndërsa babai i tij ishte me origjinë armene.

Policia ende po heton se çfarë e motivoi Arthur A.-në për të kryer këtë akt të paparë dhune, që ka tronditur të gjithë Austrinë. Ndërkohë, masat e sigurisë janë shtuar në të gjitha shkollat e rajonit, dhe një institucion tjetër arsimor ka pranuar kërcënime, gjë që e shton edhe më shumë shqetësimin e opinionit publik.

Kategoritë
BotaLajme