William Burns do të shkojë në Evropë në ditët në vijim për të marrë pjesë në takime me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdurrahman Al-Thani, si dhe homologët e tij nga Izraeli dhe Egjipti, shkroi Washington Post
Presidenti amerikan Joe Biden do të dërgojë drejtorin e CIA-s William Burns për të negociuar një armëpushim dhe një marrëveshje në shkallë të gjerë të shkëmbimit të të burgosurve midis Hamasit dhe Izraelit, transmeton Anadolu.
Gazeta Washington Post, duke cituar zyrtarë me njohuri për çështjen dhe që kanë kërkuar të mbeten anonimë, shkroi se Burns do të shkojë në Evropë në ditët në vijim për të marrë pjesë në takime me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdurrahman Al-Thani, si dhe homologët e tij nga Izraeli dhe Egjipti.
Sipas gazetës, në bisedime do të diskutohet për pauzën më të gjatë të konfliktit në Gaza që po vazhdon që nga 7 tetori 2023 dhe për lirimin e të gjithë pengjeve.
Ndërsa kohëzgjatja e pauzës së parashikuar nuk dihet, në disa raportime pohohet se Izraeli ka ofruar një armëpushim 60-ditor në këmbim të lirimit të të gjithë pengjeve.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dje refuzuan të komentojnë pyetjet e gazetarëve në lidhje me udhëtimin e Burnsit, ndërkohë që Koordinatori i Komunikimeve Strategjike të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se “diskutimet tona për të arritur një marrëveshje të re për pengjet po zhvillohen seriozisht”.
Në një lajm të publikuar dje në shtypin izraelit, thuhej se Katari e ka informuar Izraelin se Hamasi ka pezulluar negociatat në lidhje me shkëmbimin e të burgosurve.
“Hamasi u ka përcjellë ndërmjetësuesve të Katarit se kërkon që Izraeli të tërheqë të gjitha forcat e tij nga Rripi i Gazës dhe të ndalojë luftën, duke filluar nga faza e parë e marrëveshjes (shkëmbimi i të burgosurve)”, thuhej në lajm.