Me “zipline” në Bosfor, stambollasit shijojnë pamjen unike të ngushticës

Në rrethin bregdetar Üsküdar të pjesës aziatike të metropolit turk, qytetarët presin radhë për “zipline” në ngushticën e famshme të qytetit

Dashamirët e aventurave në Stamboll mund të shijojnë një kënaqësi tjetër me tel zvarritës, të njohur si “zipline”, dhe të shohin pamjen mahnitëse të Bosforit në të njëjtën kohë.

Në rrethin bregdetar Üsküdar të pjesës aziatike të metropolit turk, qytetarët presin radhë për “zipline” në ngushticën e famshme të qytetit.

“Falë vendndodhjes së tij, ka kërkesë të madhe”, tha për Anadolu Agency (AA) Ibrahim Orhan, menaxher i operacioneve të “Nakkaştepe Zipline”.

“Sidomos në verë, me motin më të ngrohtë, ne shohim një kërkesë tepër të madhe”, shtoi ai.

Teli shtrihet rreth 250 metra mbi pemë, ndërsa entuziastët mund të shijojnë pamjen panoramike të reve, pemëve, Bosforit dhe Urës së Dëshmorëve të 15 Korrikut.

Tunahan Çetinkaya, i cili shijoi “zipline”-n për herë të parë, tha për AA se po e përjeton me emocione këtë aventurë.

Ndërkaq, Nermin Karakaya tha se ajo kishte bërë “zipline” disa herë më parë dhe se ka dëshirë për ta provuar sërish.

Duke vlerësuar telin zvarritës si “unik dhe të bukur”, ajo shtoi: “Më pëlqen këtu. Kjo pamje është legjendare”.

“Unë e bëj këtë sport herë pas here. Nuk mund të them se frikësohem. Është shumë argëtuese”, tha ajo.

Kategoritë
BotaLajme