Mbrojtja e aeroporteve dhe porteve: NATO shqyrton dërgimin e trupave gjermano–holandeze në Estoni

Ministri i Mbrojtjes së Estonisë, Hanno Pevkur, deklaroi për mediat vendase se brenda NATO-s po shqyrtohet mundësia e dërgimit të forcave shtesë në Estoni me qëllim mbrojtjen e bazave ajrore dhe detare të vendit.

Sipas tij, vendimi për dërgimin e një korpusi të përbashkët gjermano–holandez pritet të merret deri në fund të vitit. Plani parashikon ndërtimin e një kompleksi komande për 100 deri në 200 ushtarë, që do të përfshijë godina komanduese, objekte teknike dhe infrastrukturë komunikimi.

Qyteti Pärnu është zgjedhur si lokacioni i preferuar për shkak të qasjes në port, aeroport, lidhjet hekurudhore, rrjetin rrugor dhe afërsisë me kryeqytetin e Letonisë, Rigën.

Ministria e Mbrojtjes së Estonisë ka ndarë 17 milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme. “Kjo nuk do të ketë lidhje vetëm me aleatët tanë që kryejnë funksione komanduese, por edhe me pjesëtarët e ushtrisë estoneze, përfshirë rekrutët,” tha Pevkur.

Ish-komandanti i forcave të mbrojtjes së Estonisë, Martin Herem, vlerësoi se ky dislokim do të përmirësojë ndjeshëm aftësinë e NATO-s për të zbatuar planet mbrojtëse në rajon.

Gjermania ka formuar tashmë Brigadën e 45-të të blinduar, e cila është e vendosur në Lituani. Pritet që deri në fund të vitit 2027, kjo brigadë të përfshijë rreth 4.800 ushtarë dhe 200 pjesëtarë të stafit civil, duke i siguruar njësisë aftësi të plota operative.

Kategoritë
BotaLajme