Mbi 60 eurodeputetë kërkojnë mbledhje urgjente për të iniciuar veprime kundër Izraelit

“Çdo ditë që nuk ndërmarrim veprime është një ditë tjetër ku palestinezët në Gaza lihen të vdesin urie ose të vriten”, thanë deputetët e Parlamentit Evropian në një thirrje drejtuar shefes së diplomacisë evropiane

Mbi 60 deputetë të Parlamentit Evropian kërkuan një takim urgjent për të nxitur veprime kundër Izraelit në një letër dërguar shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, transmeton Anadolu.

Marc Botenga, një eurodeputet belg nga grupi i Majtë, tha në X se i kanë shkruar Kallasit, duke kërkuar që një takim urgjent i Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së të thirret menjëherë për të propozuar veprime kundër Izraelit.

“Po ju shkruajmë sot për të kërkuar që të merren masa të menjëhershme duke pasur parasysh situatën e tmerrshme humanitare në Gaza dhe sulmet e vazhdueshme izraelite ndaj palestinezëve në vendet e shpërndarjes së ndihmave, të cilat deri më tani kanë rezultuar në vdekjen e mbi 1.000 njerëzve”, shkruan eurodeputetët.

Ata thanë se marrëveshja e fundit e ndihmës BE-Izrael nuk solli “asnjë ndryshim të prekshëm” në kushtet në terren, duke theksuar se ndërsa fëmijët vdesin nga uria, BE-ja përgjigjet me “fjalë të dobëta dhe asnjë veprim”.

“Le të jemi të qartë, historia nuk do ta shohë me sy të mirë heshtjen dhe bashkëfajësinë e BE-së përballë urisë dhe gjenocidit në Gaza dhe qytetarët evropianë po përdorin zërat e tyre për të kërkuar veprime të vërteta. Si përfaqësues të tyre të zgjedhur, ne ju themi se nuk mund të ketë më standarde të dyfishta, asnjë heshtje dhe asnjë bashkëfajësi”, thanë ligjvënësit.

Eurodeputetët kërkuan miratimin e një pakoje të plotë sanksionesh kundër Izraelit, sanksione ndaj Fondacionit Humanitar të Gazës dhe individëve brenda organizatës, propozim masash pas shqyrtimit të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael dhe lobim te shtetet anëtare për të zbatuar një embargo armësh.

“Çdo ditë që nuk ndërmarrim veprime është një ditë tjetër ku palestinezët në Gaza lihen të vdesin urie ose të vriten. Veprimi është i nevojshëm tani”, thanë ata.

Kategoritë
BotaLajme