Mbi 230 gazetarë kanë humbur jetën që nga nisja e luftës në Gaza

Numri i gazetarëve të vrarë në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës në vitin 2023 ka arritur në 232, sipas një deklarate të lëshuar sot nga Zyra për Media e Qeverisë së Gazës. Viktima më e fundit është fotoreporteri palestinez, Adam Abu Harbid, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës së tij për të dokumentuar zhvillimet në terren.

Në deklaratën e publikuar në platformën Telegram, Zyra për Media e dënoi ashpër vrasjen e gazetarëve, duke e cilësuar atë si një fushatë të organizuar dhe të qëllimshme nga forcat izraelite për të heshtur zërat mediatikë palestinezë dhe për të penguar shpërndarjen e informacionit nga zona e konfliktit.

“Zyra për Media dënon në mënyrën më të ashpër vrasjen sistematike të gazetarëve palestinezë dhe vendosjen e tyre në shënjestër nga ana e okupatorit izraelit. Kjo përbën një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të Konventave të Gjenevës, që garantojnë mbrojtjen e gazetarëve në zonat e luftës”, thuhet në deklaratë.

Zyra shton se vrasjet e gazetarëve nuk janë thjesht pasoja të luftës, por përfaqësojnë, sipas tyre, një strategji të qëllimshme për të fshehur të vërtetën dhe për të penguar dokumentimin e ngjarjeve që po ndodhin në Gazë.

Për këtë arsye, Zyra për Media i ka bërë thirrje të hapur organizatave ndërkombëtare të mediave, përfshirë Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ), Federatën Arabe të Gazetarëve, si dhe shoqatave dhe unioneve të gazetarëve në mbarë botën, që të ngrejnë zërin kundër, siç thuhet, krimeve të përsëritura dhe sistematike ndaj punonjësve të medias në Gazë.

“Kërkojmë një reagim të qartë dhe të vendosur nga komuniteti ndërkombëtar i mediave për të ndalur këtë dhunë të paprecedentë ndaj gazetarëve dhe për të kërkuar mbajtjen përgjegjëse të autorëve të këtyre krimeve,” përfundon deklarata.Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe liritë e shtypit janë nën presion në rritje për të hetuar rastet e raportuara të sulmeve ndaj gazetarëve dhe për të kërkuar llogaridhënie nga palët e përfshira në konflikt.

Kategoritë
BotaLajme