Në seancë morën pjesë presidentja e vendit Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, ministra, deputetë, ambasadorë të huaj, përfaqësues fetarë dhe të ftuar të tjerë
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne me rastin e 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, raporton Anadolu.
Në seancë morën pjesë presidentja e vendit Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, ministra, deputetë, ambasadorë të huaj, përfaqësues fetarë dhe të ftuar të tjerë.
Pas interpretimit të himnit shtetëror të Kosovës dhe disa pjesëve muzikore nga Filarmonia e Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dha nderime për të rënët e luftës për liri, përfaqësuesit që kontribuuan në shtetndërtim dhe për policët e ushtarët.
Osmani përmendi edhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të cilët gjenden në Türkiye në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, duke thënë se “nuk duhet të harrohet kontributi i shërbyesve të shtetit”.
“T’i kujtojmë bijtë e bijat tona, të cilët, të rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të vendit, komandantin historik të kësaj ushtrie, Adem Jasharin, i cili i priu rezistencës për liri; t’i kujtojmë përfaqësuesit e institucioneve të pavarura të Kosovës, të cilët përgjatë këtyre 15 vjetëve kontribuuan në ndërtimin e jetës demokratike në vend, por edhe në paqen e përgjithshme”, theksoi Osmani.
Osmani falënderoi bashkësinë ndërkombëtare për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës për liri dhe pavarësi, derisa duke folur për dialogun e Kosovës me Serbinë, tha se ka vetëm një epilog dhe ai është njohja reciproke.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, si i ftuar për herë të parë si president në një përvjetor të pavarësisë së Kosovës, tha se Shqipëria është pranë Kosovës për anëtarësimin e saj në NATO dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare.
Begaj përmendi komandantin legjendar Adem Jashari, luftën e UÇK-së dhe presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, si faktorët kryesorë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Tutje, ai përshëndeti angazhimin e SHBA-së dhe të BE-së për dialogun me Serbinë, duke theksuar nevojën për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se akti i deklarimit të pavarësisë së Kosovës dhe i shpalljes së saj shtet më 2008, shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm në historinë moderne të Kosovës.
Ai tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës këtu e 15 vite më parë, ishte rezultat i shumë përpjekjeve dhe sakrificave të skajshme të popullit tonë shqiptar si dhe i ndihmës e përkrahjes aq të nevojshme të partnerëve dhe aleatëve ndërkombëtarë.
“Krijimi i Republikës së Kosovës, erdhi pas 666 shekujsh të kaluara gjithsej nëpër burgje nga mijëra të burgosur politikë, siç erdhi edhe nga gjenerata të tëra mësimdhënësish që edukuan dhe shkolluan breza të tërë në frymë patriotike dhe atdhedashurie. Republika e Kosovës erdhi nga gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve të rënë dhe i secilës jetë të dhënë për lirinë e këtij vendi, siç erdhi edhe nga kontributi i atyre që i drejtuan dhe i zhvilluan proceset politike shtetndërtuese deri në këtë ditë. Republika jonë erdhi nga lufta e lavdishme e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e tyre të drejtë arritën t’i përfshijnë edhe aleatët ndërkombëtarë që më 1999, na ndihmuan të çlirohemi nga Serbia pushtuese”, theksoi Kurti.
Pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall më 17 shkurt 2008, e njohën shumë shtete të botës, përfshirë edhe Türkiyen. Sot Kosova njihet si shtet i pavarur nga 117 shtete.



















