Mbahet ceremonia e diplomimit për maturantët e Shkollave Maarif

Shkollat Ndërkombëtare Maarif të Kosovës organizuan me shumë krenari dhe emocion ceremonitë e diplomimit për nxënësit e klasave të 12-ta në kampuset e Prishtinës dhe Prizrenit. Nxënësit përmbyllën me sukses një etapë të rëndësishme të jetës së tyre shkollore, duke hedhur kapelat në ajër dhe duke hedhur hapin e parë drejt një të ardhmeje të re dhe plot mundësi.

Në ceremoninë e mbajtur në Kampusin e Prishtinës morën pjesë: Ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, H.E. Sabri Tunç Angılı, Përfaqësuesi i Fondacionit Turk Maarif në Kosovës, Mehmet Nedim Aslan, Kryetari i Komitetit të Përfaqësimit Ushtarak Turk në Kosovë Harun Elitaş, Drejtori i Arsimit i Komunës së Lipjanit Rasim Hasani, Këshilltari i Arsimit në Ambasadën e Turqisë Veysel Erdel dhe Këshilltari Tregtar i Ambasadës së Hungarisë Áron Kerékgyártó, si dhe drejtues shkollash, mësimdhënës, prindër dhe nxënës.
Në Kampusin e Prizrenit, ceremonia e diplomimit u zhvillua me po të njëjtin emocion dhe pjesëmarrje të gjerë. Të pranishëm ishin Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Turqisë në Prizren Fatih Topçu, Përfaqësuesi i Fondacionit Turk Maarif në Kosovës, Mehmet Nedim Aslan, Koloneli Harun Elitaş,  Këshilltari i Arsimit në Ambasadën e Turqisë Veysel Erdel, Nënkryetari i Komunës së Prizrenit Furkan Bütüç, si dhe ish-deputetët e Kuvendit të Kosovës Kujtim Gashi dhe Duda Balje, së bashku me përfaqësues të Komunës së Prizrenit, mësimdhënës, prindër dhe nxënës.
Gjatë ceremonive u diplomuan gjithsej 64 nxënës nga të dy kampuset. Përfaqësuesi i Fondacionit Turk Maarif në Kosovës, Mehmet Nedim Aslan, theksoi se diplomimi nuk është fundi, por fillimi i një rruge të re plot mundësi dhe sfida. Fjalimet e ambasadorit dhe përfaqësuesve të tjerë institucionalë u dhanë nxënësve motivim dhe frymëzim për të ardhmen.
Nxënësit u vlerësuan me certifikata arritjesh, ndërsa emrat e tyre u vendosën në “Pemën e Suksesit” tradicionale të Maarif-it. Ceremonitë u përmbyllën me performanca artistike dhe shpërndarjen e diplomave.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi