Edhe pse marrëveshja e Turqisë me Gjermaninë për blerjen e 40 avionëve luftarakë Eurofighter Typhoon nuk paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj dominancës ajrore izraelite, ajo mbetet “kokëçarje”, tha një zyrtar izraelit për The Jerusalem Post.
Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Ankarasë për të modernizuar ushtrinë e saj.
Avionët, zhvilluar së bashku nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Spanja, konsiderohen ndër avionët më të avancuar luftarakë të brezit të katërt dhe më shumë në botë. Përfshirja e tyre në flotën ajrore turke do të përmirësonte dukshëm kapacitetet luftake të vendit.
“Kjo nuk është një kërcënim që ndryshon rregullat e lojës për forcat tona ajrore. Typhoon është një avion i aftë, por jo superior ndaj avionëve tanë luftarakë, por është një sinjal i qartë dhe shqetësues që Turqia po përshpejton grumbullimin e armatimit në një mënyrë që në fund mund të rrezikojë avantazhin ushtarak të Izraelit në rajon,” tha zyrtari izraelit.
Avionët Eurofighter Typhoon “brezi 4.5” janë shumë të manovrueshëm, të pajisur me sisteme radarike të avancuara dhe të aftë për misione të shumëfishta, duke përfshirë dominancën ajrore dhe goditjet tokësore.
Edhe nëse nuk mund të përballojnë teknologjinë stealth dhe fuzionin sensorik të F-35-ëve izraelitë, dislokimi i tyre do të përmirësonte ndjeshëm fleksibilitetin operativ turk dhe aftësinë e frenimit rajonal.
Paralelisht, Turqia po kërkon kontrata shtesë për F-16 amerikanë, dhe potencialisht edhe për F-35, pasi në 2019 u përjashtua nga programi F-35 për shkak të blerjes së sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore S-400. Këto përpjekje të rishtuara kanë ngritur shqetësime në Tel Aviv, veçanërisht për shkak të raporteve që Ankaraja po zgjeron edhe kapacitetet detare dhe ato të dronëve.
Kreu i opozitës, Yair Lapid, këtë javë kritikoi qeverinë izraelite, duke e akuzuar se nuk ka bllokuar shitjen e Eurofighterëve:
“Nëse Izrael do të kishte një Ministri të Jashtëm funksionale ose një qeveri normale, do të kishte ndërhyrë diplomatikisht për të ndaluar këtë marrëveshje armatimi. Tani Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar po pajisin Turqinë me avionë të fuqishëm që në fund mund të ndryshojnë balancën e forcave në rajon,” tha ai.
Ai paralajmëroi se Turqia tashmë ka marinën më të madhe në Lindjen e Mesme dhe duket se synon tani edhe baraspeshën ajrore me Izraelin:
“Kjo është e rrezikshme, dhe qeveria jonë demotivuese e ka lejuar pa bërë asnjë lëvizje,” përfundoi Lapid.