Marrëveshja Shqipëri-Itali, mbërrin në Shëngjin një grup tjetër i emigrantëve

Emigrantët, ndaj të cilëve është vendosur riatdhesimi në vendet e tyre të origjinës nga autoritetet italiane, do të qëndrojnë në kampin në Gjadër, në Qarkun e Lezhës, në pritje të procedurave të tjera.

Në Shqipëri ka mbërritur një grup tjetër emigrantësh, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve.

Raportohet se Anija “Spica” e Marinës Ushtarake Italiane ka mbërritur sot në Portin e Shëngjinit, në Qarkun e Lezhës, duke transportuar 27 emigrantë.

Emigrantët, ndaj të cilëve është vendosur riatdhesimi në vendet e tyre të origjinës nga autoritetet italiane, do të qëndrojnë në kampin në Gjadër, në pritje të procedurave të tjera.

Nga autoritetet në Shqipëri nuk janë bërë publike të dhëna mbi kombësinë e emigrantëve apo për procedura të tjera ndaj tyre.

Ndërkohë, në muajit e fundit në Shqipëri kanë mbërritur dhjetëra emigrantë, në kuadër të marrëveshjes mes dy vendeve dhe pas riaktivizimit të saj.

Disa grupe emigrantësh që u ndaluan në det dhe që mbërritën më parë në kampet në Qarkun e Lezhës, u rikthyen përsëri në Itali pas vendimit të gjykatave italiane.

Marrëveshja mes dy vendeve u riaktivizua pas një dekreti të qeverisë italiane, që lejon transferimin në qendrat në Shqipëri, jo vetëm të azilkërkuesve të kapur në det, por edhe të emigrantëve të parregullt, ndaj të cilëve është vendosur për dëbimin e tyre.

– Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit

Më 6 nëntor të vitit 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.

Protokolli, në bazë të të cilit u ngritën në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt të vitit 2024.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.

Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.

Qendrat që janë ngritur në Qarkun e Lezhës menaxhohen nga autoritetet italiane.

Kategoritë
LajmeRajoni