Marinar i marinës amerikane i dënuar për spiunazh për Kinën, u rekrutua përmes rrjeteve sociale

Një marinar i marinës amerikane është dënuar për spiunazh pasi shiti sekrete ushtarake një agjenti kinez që e kishte rekrutuar përmes rrjeteve sociale.

Jinchao Wei (25) u shpall fajtor për gjashtë akuza, përfshirë spiunazh, konspiracion për spiunazh dhe eksport të paligjshëm të të dhënave konfidenciale mbi anijet e marinës amerikane.

“Veprimet e të pandehurit përfaqësojnë një tradhti të papranueshme ndaj besimit që i ishte dhënë si pjesëtar i ushtrisë amerikane,” tha prokurori amerikan Adam Gordon. Ai shtoi se duke tregtuar sekrete ushtarake me Republikën Popullore të Kinës për para, Wei ka rrezikuar sigurinë e të gjithë kombit.

Wei u arrestua në gusht 2023 nën akuzën për spiunazh, teksa shkonte në punë në anijen amfibike sulmuese USS Essex.

Ai punonte si ndihmës-mekanik, kishte autorizim sigurie dhe qasje në informacione të ndjeshme mbi anijen dhe mbi anijet e tjera të Flotës së Paqësorit.

Gjatë gjyqit, prokurorët paraqitën prova, përfshirë biseda telefonike, mesazhe elektronike dhe audio-mesazhe që Wei kishte shkëmbyer me kontaktin e tij nga Kina, të cilin e quante “Vëllai i madh Andy”.

U paraqit gjithashtu një shkëmbim mesazhesh mes Weit dhe nënës së tij për të treguar se ai e kuptonte se po merrej me spiunazh.

“Të tjerë kinezë që shërbejnë në marinën amerikane ende përpiqen të kuptojnë si të fitojnë para shtesë duke vozitur taksi. Ndërsa unë thjesht zbuloj sekrete,” i shkruante Wei nënës së tij.

Në këmbim të informacionit, oficeri i inteligjencës kineze i kishte paguar më shumë se 12.000 dollarë gjatë 18 muajve.

Dënimi pritet të shpallet më 1 dhjetor, dhe ai mund të përballet me burgim të përjetshëm.

Kategoritë
BotaLajme