Maqedonia e Veriut ka pranuar 29 automjete të reja taktike të blinduara JLTV të prodhimit amerikan, duke e çuar në 67 numrin total të këtyre mjeteve në ushtrinë maqedonase.
Ushtria maqedonase është në procesin e kalimit nga pajisjet lindore në ato perëndimore, respektivisht amerikane, ku blerja e automjeteve të reja taktike të blinduara konsiderohet një nga projektet më të suksesshme.
Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski paralajmëroi vazhdimin e këtij procesi, duke theksuar se siguria është prioritet për ruajtjen e një të ardhmeje të sigurt.
“Si kryeministër, një nga prioritetet e mia kryesore gjithmonë ka qenë siguria e vendit, si dhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit, pasi këto janë parakushte thelbësore për të zhvilluar një shoqëri që do të përparojë dhe që do t’u ofrojë të ardhme të gjithë qytetarëve. Lidhja e pandashme me këto ambicie është, natyrisht, Ushtria e Maqedonisë,” tha Mickoski.
Automjetet JLTV (Joint Light Tactical Vehicle) kanë konfigurime të ndryshme, ndaj mund të përdoren për transport trupe, stacione të armatosura, mbështetje logjistike dhe zbulim.
Përveç automjeteve të blinduara JLTV, ushtria maqedonase pret edhe blerjen e transportuesve të rinj të blinduar STRYKER, dronëve dhe shumë pajisjeve të tjera nga SHBA-ja.