Malta do të njohë shtetin e Palestinës në Asamblenë e OKB

Malta do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet në shtator. Lajmi u konfirmua nga kryeministri maltez, Robert Abela, i cili e bëri publik vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Si qeveri, kemi marrë vendimin që gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator, vendi ynë do të njohë shtetin palestinez. Ky qëndrim pasqyron angazhimin tonë për të gjetur një zgjidhje që çon drejt paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme”.

Vendimi i Maltës vjen pas hapave të ngjashëm të ndërmarrë së fundmi nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar (këta të fundit me një kusht) për të avancuar njohjen e shtetësisë palestineze në arenën ndërkombëtare.

Aktualisht, pas njohjes së Palestinës nga Sllovenia, Spanja dhe Irlanda në maj të këtij viti, numri i vendeve të Bashkimit Europian që e kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez ka shkuar në 11. Në nivel global, më shumë se 140 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e kanë bërë këtë hap. Palestina ka statusin e “shtetit vëzhgues jo-anëtar” në Kombet e Bashkuara që nga viti 2012.

Kategoritë
BotaLajme