Macron: Sigurimi i armëpushimit në Ukrainë i domosdoshëm për takimin trepalësh

– “Të gjithë rreth kësaj tryeze janë për paqen”, tha Macron duke shtuar se ata kanë punuar shumë vitet e fundit për arritjen e një paqeje “të fortë dhe të qëndrueshme” në Ukrainë

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se armët duhet të heshtin në Ukrainë para një takimi të mundshëm trepalësh që do të mbahet midis presidentit rus Vladimir Putin, presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, raporton Anadolu.

Macron foli në takimin e organizuar nga presidenti amerikan Trump në Shtëpinë e Bardhë me pjesëmarrjen e presidentit ukrainas Zelenskyy dhe udhëheqësve të Bashkimit Evropian (BE). Macron falënderoi Trumpin për organizimin e një takimi të tillë.

“Të gjithë rreth kësaj tryeze janë për paqen”, tha Macron duke shtuar se ata kanë punuar shumë vitet e fundit për arritjen e një paqeje “të fortë dhe të qëndrueshme” në Ukrainë.

Presidenti francez tha se një takim i mundshëm trepalësh midis Putinit, Zelenskyyt dhe Trumpit për paqen në Ukrainë është “e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemin”, por se kjo do të kërkojë që Trump të bindë Putinin të bie dakord për armëpushim në Ukrainë.

“Për të mbajtur një takim të tillë trepalësh, siç diskutuam, është e domosdoshme që të kërkoni armëpushim ose të paktën që të ndalen vdekjet (në Ukrainë)”, theksoi Macron. Ai sugjeroi mbajtjen e një takimi katërpalësh me udhëheqësit evropianë pas takimit të mundshëm trepalësh.

Macron tha se kanë nevojë që paqja në Ukrainë të jetë e qëndrueshme dhe për garanci sigurie për të gjithë Evropën, dhe se në këtë kontekst është e rëndësishme që edhe Ukraina të ketë ushtri të besueshme.

Duke përsëritur se vendet evropiane janë të gatshme të bëjnë pjesën e tyre për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën, Macron tha: “Mund të jeni të sigurt se evropianët janë shumë të vetëdijshëm për të bërë pjesën e tyre për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën”.

Në takim morën pjesë gjithashtu Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti finlandez Alexander Stubb, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Friedrich Merz.

Presidenti amerikan Donald Trump më 15 gusht u takua në Alaskë me presidentin rus Vladimir Putin dhe njoftoi se nuk u arrit asnjë marrëveshje përfundimtare.

Kategoritë
BotaLajme