Macron paralajmëron: Ofensiva izraelite në Gaza do të çojë në katastrofë dhe do ta fusë gjithë rajonin në luftë të përhershme

Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se ofensiva e planifikuar izraelite dhe okupimi i qytetit të Gazës “do të çojë në katastrofë” si për izraelitët, ashtu edhe për palestinezët, dhe do ta fusë tërë rajonin në një “luftë të përhershme”.

Makron këtë e deklaroi pas një bisede telefonike me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sisi dhe mbretin jordanez Abdullah II.

Ai këmbënguli se mënyra e vetme për zgjidhjen e konfliktit është çarmatosja e Hamasit dhe forcimi i Autoritetit Palestinez, lirimi i të gjithë pengjeve dhe sigurimi i një armëpushimi të përhershëm.

Për arritjen e këtyre objektivave, ai propozoi vendosjen e një “misioni ndërkombëtar stabilizues për Gazën” dhe punën “për një zgjidhje politike që plotëson aspiratat e të dy popujve”.

“Franca, së bashku me Arabinë Saudite, do të bashkëkryesojë Konferencën për zgjidhjen me dy shtete në Nju Jork këtë shtator, me qëllim që të ecet përpara në këtë rrugë. Ky është i vetmi drejtim i besueshëm – për familjet e pengjeve, për izraelitët dhe për palestinezët njësoj”, përfundoi Makron.

Kategoritë
BotaLajme