Macron: Franca do ta mbrojë Izraelin nga Irani, por mbështetja jonë nuk është e pakushtëzuar

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca do të marrë pjesë në mbrojtjen e Izraelit në rast të një sulmi nga Irani.

Duke folur në një konferencë për shtyp pas fillimit të sulmeve nga Izraeli, Macron përjashtoi pjesëmarrjen e Francës në operacione të drejtuara kundër Iranit dhe theksoi se Franca nuk e rekomandon sulmin ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke theksuar se ende ekziston një “rrugë diplomatike” për zgjidhjen e këtij konflikti.

Ai shtoi se mbështetja e Francës për Izraelin nuk është as e pakushtëzuar dhe as e pakufizuar.

Macron theksoi gjithashtu se informacionet që Franca posedon mbi programin bërthamor të Iranit janë shqetësuese dhe se ky program është afër një faze kritike.

Kujtojmë se herët në mëngjes, sipas orës sonë lokale, Izraeli nisi sulme ndaj Iranit. Objektivat ishin qendrat bërthamore dhe gjeneralë të ushtrisë. Sipas informacioneve, në këto sulme janë vrarë mbi 20 gjeneralë iranianë.

Si kundërpërgjigje, Irani nisi sonte dy valë sulmesh ndaj qyteteve izraelite, ku janë plagosur mbi 30 persona.

Kategoritë
BotaLajme