Macron dëshiron të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç: “Nëse BE nuk vepron, do ta bëjmë vetë”

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Franca do të ndalojë qasjen në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, brenda “disa muajve”, nëse një masë e tillë nuk merret në nivel të Bashkimit Evropian.

“Duhet të ndalojmë rrjetet sociale për personat nën 15 vjeç,” tha Macron për televizionin publik France 2, pas një incidenti tronditës ku një 14-vjeçar goditi me thikë një anëtar të stafit shkollor në hyrje të një gjimnazi në qytetin Nogent.

Ai u ka dhënë institucioneve evropiane disa muaj kohë për të vepruar, duke theksuar se nëse nuk merren masa në BE, Franca do të veprojë e vetme, pasi “nuk mund të presim”.

Incidenti tragjik ndodhi gjatë një kontrolli rutinë të çantave në një shkollë të mesme në lindje të Francës. Anëtari i stafit i goditur me thikë ndërroi jetë, ndërsa adoleshenti u arrestua në vendngjarje.

Një polic, i cili ndihmonte gjatë kontrollit, u lëndua lehtë gjatë arrestimit të të dyshuarit, i cili përdori të njëjtën thikë në të dy sulmet, sipas Xhandarmërisë Kombëtare.

Nuk është e qartë nëse sulmi ka ndonjë lidhje me përmbajtje të parë në rrjetet sociale nga ana e nxënësit.

Kategoritë
BotaLajme