Luftë diplomatike në horizont: Izraeli kërcënon me mbylljen e konsullatës franceze për shkak të njohjes së Palestinës

Qeveria e Izraelit po shqyrton mundësinë e mbylljes së konsullatës franceze në Jerusalem pasi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi se në shtator 2025, para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të shpallë zyrtarisht njohjen e Palestinës si shtet.

Kjo iniciativë tashmë është mbështetur nga Australia, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Malta, duke krijuar një bllok të ri të vendeve perëndimore që po largohet nga politika izraelite.

Për këtë çështje foli më 17 gusht në mbledhjen e qeverisë ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, i cili i bëri thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu që, si përgjigje, të mbyllë misionin diplomatik francez në Jerusalem.

Macron kishte paralajmëruar më 24 korrik se Franca, në përputhje me “angazhimin historik për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, do të njohë shtetësinë palestineze. “Këtë vendim do ta shpall solemnisht para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator të këtij viti”, deklaroi ai.

Franca është vendi i parë anëtar i G7 që ndërmerr këtë hap, ndërsa kryeministri australian, Anthony Albanese, e vlerësoi zgjidhjen me dy shtete si “shpresën më të madhe të njerëzimit për të ndalur ciklin e dhunës në Lindjen e Mesme dhe për të sjellë fundin e konflikteve, vuajtjeve dhe urisë në Gaza”.

Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar dhanë sinjale mbështetjeje të kushtëzuar – kryeministri kanadez, Mark Carney, e lidhi njohjen me reformat dhe zgjedhjet në Autoritetin Palestinez, ndërsa kryeministri britanik, Keir Starmer, kërkoi hapa konkretë nga Izraeli drejt një armëpushimi dhe paqeje të qëndrueshme. Malta gjithashtu njoftoi se do të njohë së shpejti Palestinën.

Ky zhvillim ka nxitur reagime të ashpra në Izrael. Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, deklaroi se vendimi i Macron-it jep “një arsye tjetër të fortë” që Izraeli të aneksojë pjesë të Judesë dhe Samarise. “Është koha që më në fund të zbatojmë sovranitetin izraelit mbi këto territore historike dhe të braktisim iluzionin e krijimit të një shteti terrorist palestinez në zemër të Izraelit”, tha ai.

As Shtetet e Bashkuara nuk qëndruan të heshtura. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e quajti fushatën për njohjen e Palestinës “të papërgjegjshme” dhe vlerësoi se ajo “vetëm forcon propagandën e Hamasit dhe pengon proceset e paqes”. Presidenti amerikan, Donald Trump, kritikoi veçanërisht qëndrimin e Kanadasë, duke shkruar në rrjetin Truth Social: “Wow! Kanadaja sapo njoftoi se mbështet shtetësinë palestineze. Kjo do ta bëjë shumë më të vështirë për ne arritjen e një marrëveshjeje tregtare me ta. Oh, Kanada!!!”

Kujtojmë se në korrik, Franca dhe Arabia Saudite bashkëorganizuan një konferencë të OKB-së mbi këtë çështje, ku morën pjesë mbi 100 shtete, ndërsa Izraeli e bojkotoi takimin.

Kategoritë
BotaLajme