Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, njoftoi se u janë hequr vizat përfaqësuesve të Australisë në Bregun Perëndimor, edhe pse ky territor është nën kontrollin e Autoritetit Palestinez.
“Vendosa të anulloj vizat e përfaqësuesve të Australisë pranë Autoritetit Palestinez. Ambasadori australian në Izrael sapo është informuar për këtë vendim,” shkroi Saar në rrjetin social X.
Ai tha gjithashtu se ka “urdhëruar ambasadën izraelite në Canberra të shqyrtojë me kujdes çdo kërkesë zyrtare australiane për vizë hyrjeje në Izrael.”
Për më tepër, ai theksoi se ky vendim është një përgjigje ndaj njohjes nga Australia të pavarësisë së Palestinës.
“Kjo pason vendimin e Australisë për të njohur ‘shtetin palestinez’ dhe në kontekstin e refuzimit të pajustifikuar të Australisë për t’u dhënë viza disa zyrtarëve izraelitë, përfshirë ish-ministren Ayelet Shaked dhe kryetarin e Komisionit të Knessetit për kushtetutën, ligjin dhe drejtësinë, deputetin Simcha Rotman,” tha Saar.
Në pjesën tjetër të deklaratës, ai shtoi se “antisemitizmi po përhapet në Australi.”
“Ndërsa antisemitizmi po shpërthen në Australi, përfshirë manifestime dhune kundër hebrenjve dhe institucioneve hebraike, qeveria australiane vendos ta nxisë atë me akuza të rreme, sikur vizita e zyrtarëve izraelitë do të prishte rendin publik dhe do të rrezikonte popullsinë myslimane të Australisë,” shkroi ai.
Saar në fund theksoi se kjo është “e turpshme dhe e papranueshme.”
Kujtojmë se Australia ka vendosur të njohë pavarësinë e shtetit të Palestinës, ndërsa Rotmanit iu refuzua kërkesa për vizë. Ai është një nga deputetët që votoi për zgjerimin e vendbanimeve ilegale izraelite në Bregun Perëndimor në Knesset.