Ministrat e Mbrojtjes së Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë në vitin 2024 miratuan vendimin për ndërtimin e një linje të përbashkët mbrojtëse, me qëllim që të pengohet Rusia nga një sulm i mundshëm, por edhe të ngadalësohet një agresion eventual. Në vitin 2026, kjo linjë po merr tashmë një formë serioze me ndërtimin e pozicioneve antitank.
Punimet për ndërtimin e hendekëve antitank në juglindje të Estonisë nisën gjatë verës së vitit 2025, ndërsa në vitet e ardhshme janë planifikuar edhe rreth 40 kilometra të tjerë. Krahas hendekëve, është planifikuar vendosja e deri në 600 bunkerëve prej betoni për nevojat e Forcave të Armatosura të Estonisë dhe Ligës vullnetare të Mbrojtjes. Gjatë vitit 2024 u zhvilluan dhe u testuan prototipet e bunkerëve, ndërsa më pas nisën përgatitjet për prodhimin e tyre në seri.
Gjatë vitit 2026 do të ndërtohen edhe 23 bunkerë dhe 3.4 kilometra shtesë hendekë antitank, ndërsa synimi është që deri në fund të vitit 2027 Estonia të ketë gjithsej 600 bunkerë dhe afërsisht 40 kilometra hendekë të rinj.
Linja mbrojtëse do të përfshijë edhe depo për elemente fortifikuese, si pengesa betoni kundër tankeve të njohura si “dhëmbët e dragoit”, tela me gjemba dhe tela të tjerë mbrojtës, si dhe pajisje të nevojshme për vendosjen e shpejtë të pengesave në rast kërcënimi ushtarak.
Autoritetet estoneze thonë se objektet mbrojtëse do të vendosen në gjithë pjesën verilindore dhe juglindore të vendit, duke marrë parasysh konfigurimin e terrenit, planet operative të ushtrisë, mbrojtjen e mjedisit dhe marrëveshjet me pronarët e tokave. Në kushte paqeje, rrugët, pyjet, fushat dhe infrastruktura tjetër do të mbeten kryesisht të kalueshme dhe të qasshme për përdorim civil.
Krahas ndërtimit të linjës mbrojtëse, Forcat e Armatosura të Estonisë kanë paralajmëruar edhe ngritjen e një baze të re ushtarake në qytetin lindor Narva, i cili ndodhet menjëherë pranë kufirit me Rusinë.
Sipas paralajmërimeve, në këtë bazë do të stacionohen më shumë se 200 ushtarë estonezë, ndërsa pritet edhe vendosja e pjesëtarëve të forcave aleate të NATO-s.















