Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se partitë politike duhen të ulen dhe të bisedojnë për formimin e institucioneve të reja, raporton Ekonomia Online.
Ai tha në konferencë për media se bisedimet për kapërcimin e situatës së krijuar në Kuvend janë të domosdoshme.
“Kosova është shtet me shumë telashe. Nuk e kemi luksin e vendeve të rajonit. Nuk e kemi atë luks për arsye të pozicionit të shtetit tonë.
Nisma Socialdemokrate ka bërë thirrje të bashkëbisedohet, të gjendet zgjidhje. Tri partitë politike kanë përgjegjësinë që Kosova të ketë institucione së shpejti.
Shumica parlamentare krijohet para se të shkohet në Kuvend. Duhen bërë përpjekje. Esenca është krijimi i shumicës parlamentare për zgjedhjen e kryetarit dhe më pas qeverisë”, tha Limaj.
I pyetur nga gazetarë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka kërkuar postin e kryeparlamentarit, Limaj tha vetëm se do të flasë së shpejti gjerësisht për ecuritë aktuale politike në vend.
Këto qëndrime kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i paraqiti në konferencën për media të thirrur për të bërë të ditur se kësaj partie i bashkohet Forumi i Intelektualëve.
“Është lajm i mirë për partinë tonë që nga sot e tutje Nismës Socialdemokrate i bashkohet Forumi i Intelektualëve, një organizim i profesorëve dhe profesoreshave të nderuara, që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin. Tani e tutje do të jenë pjesë e pandashme e Nismës Socialdemokrate”, tha Limaj, duke paralajmëruar Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie për të dielën e ardhshme.