Limaj: NISMA nuk do të jetë pjesë e zgjidhjeve gjysmake që çojnë në zgjedhje

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se partia që ai përfaqëson nuk do të kontribuojë në zgjidhje të pjesshme që mund të çojnë në zgjedhje të parakohshme.

Pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, Limaj u shpreh para mediave se konstituimi i Kuvendit pa pasur një shumicë parlamentare mund të prodhojë paqëndrueshmëri dhe krizë institucionale, për çka Nisma nuk do të japë mbështetje.

“Nuk do të jetë kontribuuese në zgjidhje gjysmake që pastaj do të shkaktonin zgjedhje të parakohshme,” tha ai, duke theksuar se qëndrimi i Nismës është që të krijohet një shumicë qeverisëse stabile, e cila mundëson edhe konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë.

Sipas Limajt, në këtë situatë është në interesin e të gjitha partive politike që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e presidentes për masë të përkohshme.

Ai tha se kjo hap mundësi për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe krijimin e një shumice parlamentare.

“Në këtë kohë që ka mbetur, siç e ka parashikuar edhe presidentja, të gjendet një zgjidhje dhe të vihet një shumicë. Ne nuk besojmë në zgjidhje parciale,” tha Limaj.

Limaj shtoi se kërkesa e presidentes për masë të përkohshme e ndihmon procesin dhe është një hap i rëndësishëm për të sqaruar jo vetëm situatën aktuale por edhe çështjet ligjore të pazgjidhura që lidhen me konstituimin e Kuvendit.

“Veprimi i presidentes do të ndihmojë të qartësojë për të ardhmen edhe për gjendjen e tanishme qështjen e konsitutimit të Kuvendit,” u shpreh Limaj.

Duke komentuar raportimet në media për një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje që përfshinte tri ministri për Nismën, Limaj i mohoi kategorikisht këto zëra.

“Asgjë nga ato që është folur në media nuk është e vërtetë – as një, as dy, as tri. Më shumë kemi biseduar për tema programore, politike, diplomatike dhe për sigurinë. E rëndësishme është që në tavolinë ka opsione,” theksoi ai. /Telegrafi/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi