Lideri i opozitës izraelite bën thirrje për bllokimin e marrëveshjes së Turqisë për avionin luftarak “Eurofighter”

Yair Lapid pretendon se blerja e avionëve luftarakë nga Turqia do të ishte “e rrezikshme për Izraelin”

Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, bëri thirrje për bllokimin e përpjekjeve të Turqisë për të blerë avionë luftarakë “Eurofighter Typhoon” nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, duke pretenduar se Turqia dëshiron të arrijë barazi me Izraelin në hapësirën ajrore, transmeton Anadolu.

Duke akuzuar qeverinë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për dështimin në parandalimin e marrëveshjes, Lapid, kreu i partisë kryesore opozitare të Izraelit, Yesh Atid, tha: “Nëse Izraeli do të kishte një ministri të jashtme funksionale ose një qeveri normale, marrëveshja e re për shitjen e avionëve ‘Eurofighter Typhoon’ Turqisë nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar do të ishte bllokuar tashmë”.

Duke pretenduar se blerja e avionëve “Eurofighter” nga Turqia do të ishte “e rrezikshme për Izraelin”, ai tha: “Turqia ka flotën detare më të madhe dhe më të fuqishme në Lindjen e Mesme dhe tani synon të arrijë barazi me Izraelin në hapësirën ajrore. Kjo është një situatë e rrezikshme dhe qeveria jonë jofunksionale ka lejuar që kjo marrëveshje të përparojë dhe nuk ka bërë asgjë për ta ndaluar atë”.

Ankaraja po i vazhdon bisedimet me Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë për të blerë avionë “Eurofighter” dhe procesi po ecën pozitivisht.

Kategoritë
BotaLajme