UDHËHEQËSI VERIOREKOREAN Kim Jong Un u bëri thirrje trupave të tij të jenë të gatshëm “për luftë të vërtetë” ndërsa mbikëqyrte një garë në saktësinë e njësiteve artilerike, njoftuan mediat shtetërore në Phenian. Fjalët e tij vijnë ndërsa Koreja e Veriut ka dërguar tashmë trupa dhe armë si ndihmë për Rusinë në ofensivën e saj në Ukrainë, që po vazhdon prej më shumë se tre vjetësh. Në pamjet e transmetuara nga Televizioni Qendror Korea, ushtarë të artilerisë shihen duke qëlluar granata drejt detit.
Kim u shfaq duke vëzhguar stërvitjen me dylbi nga një post vëzhgimi, i rrethuar nga dy zyrtarë ushtarakë. Vendi i garës, i zhvilluar të mërkurën, nuk u bë publik. Sipas agjencisë shtetërore Korean Central News Agency, Kim i nxiti ushtarët të jenë të gatshëm “për luftë të vërtetë” në “çdo çast” dhe të jenë të aftë “të shkatërrojnë armikun në çdo betejë.”
Shërbimet inteligjente të Koresë së Jugut dhe Perëndimit kanë raportuar më parë se Pheniani dërgoi vitin e kaluar mbi 10,000 ushtarë në rajonin rus të Kurskut, së bashku me granata artilerie, projektele dhe sisteme raketore me rreze të gjatë veprimi. Sipas Seulit, rreth 600 ushtarë verikoreanorënorë kanë humbur jetën në luftime në anën e Rusisë, dhe mijëra të tjerë janë plagosur.
Gjatë bisedimeve të fundit me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov, Kim i ofroi Moskës mbështetje të plotë për luftën në Ukrainë. Të dy vendet, të dy nën sanksione të rënda ndërkombëtare, nënshkruan vitin e kaluar një marrëveshje ushtarake me klauzolë mbrojtjeje reciproke, gjatë vizitës së rrallë të presidentit rus Vladimir Putin në Phenian.